Kurti: Bashkatdhetarët të kenë të drejtën e votimit në ambasada dhe konsullata - Bota Sot
Kurti: Bashkatdhetarët të kenë të drejtën e votimit në ambasada dhe konsullata

Aktuale

Kurti: Bashkatdhetarët të kenë të drejtën e votimit në ambasada dhe konsullata

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 23:14
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se dëshiron që bashkatdhetarët tanë ta kenë nënshtetësinë e dyfishtë ku do që janë.

Kurti tha këtë gjatë një interviste për televizion Albuk, ku ka treguar se qëllimi i vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar ishte të mbante një ligjëratë me studentë, të takojë bashkatdhetarët, për takime me deputetët të Parlamentit britanik dhe zyrtarë të lart të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Synimi ynë është që t’i njoftojmë sa më shumë për planet tona në qeverisjen tonë  të re, dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe popujve miq, duke pasur parasysh që Mbretëria e Bashkuar na ka ndihmuar neve shumë si në luftë, ashtu edhe në paqe, si për zhvillim dhe drejtësi, po ashtu edhe për demokratizim të Kosovës”, tha Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se dëshiron që bashkatdhetarët tanë të kenë nënshtetësinë e dyfishtë ku do që janë, prandaj ai premtoi se do të angazhohen për këtë në bisedime bilaterale me qeveritë në vendet ku është mërgata jonë.

“Duam që ata të kenë të drejtën e votimit në ambasada dhe konsullata, nëpër përfaqësitë tona diplomatike. Dhe gjithashtu, duam që mërgata jonë edhe të mund të investojë në Kosovë . Por, gjithashtu të siguroj arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe për ta, në mënyrë që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë të kenë integrim pa asimilim. Ky është synimi ynë si qeveri e re. Bashkëbisedim ynë me mërgatën duhet të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm në fushat zgjedhore, por tërë kohën, për shkak se çdo i treti qytetar i Republikës sonë praktikisht nuk është më banor. Me qenë se emigrimin nuk e ka ndal as çlirimi, e as shpallja e pavarësisë, ne do të nisim fushatën tonë për kthimin e trurit, kemi nevojë për diturin edhe përvojat e mërgatës sonë, e jo vetëm për remitancat e tyre”, tha ai.

Kurti shfaqi qëllimin e tij se pretendon që kombi shqiptar në Ballkan të faktorizohet. Ai theksoi se mërgata jonë është jashtë atdheut, brenda kombit. “Dhe për këtë arsye duam që qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me atë të Shqipërisë t’i ndihmojë sa me shumë bashkatdhetarët tanë, që  janë ambasada më e fuqishme që ka kombi ynë. Ne këtë kuptim ne duam që të bëjmë hapat e integrimit, afrimit, bashkëpunimit drejt bashkim me Shqipërinë, si hapi i parë dhe më i rëndësishëm, më i madh i bashkimit kombëtar shqiptar”, tha Kurti.

Ai sqaroi se të gjitha shqyrtimet drejt këtij qëllimi madhor do t’i bëjnë në mënyrë demokratike dhe paqësore, në mënyrë kushtetuese, ligjore, përfshirë këtu edhe çështjen e simboleve në një të ardhme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat