Miftaraj: Gjykatave do t’i duhen 122 vjet në zgjidhjen e lëndëve civile nëse shkohet me këtë tempo

Aktuale

Miftaraj: Gjykatave do t’i duhen 122 vjet në zgjidhjen e lëndëve civile nëse shkohet me këtë tempo

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 13:26
Ehat Miftaraj

Numri i lëndëve të zgjidhura ka rënë vit pas viti, e derisa gjykatat e Kosovës po vazhdojnë zvarritjen e lëndëve civile, sistemit të drejtësisë do t’i duhen edhe 122 vjet në zgjidhjen e tyre. Kështu u tha sot nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me raportin e publikuar “Drejtësia civile në Kosovë, Ligji vs Praktika”.

Në bazë të këtij raporti, në fund të gjashtë mujorit të parë të këtij viti, numri i lëndëve të pazgjidhura ka qenë mbi 44 mijë.

E pavarësisht rritjes së numrit të gjyqtarëve, në vitin 2016, gjykatat themelore kanë zgjidhur 17,544 lëndë civile, megjithatë, ky numër ka rënë për 633 lëndë në vitin 2017, dhe për 143 lëndë të tjera në vitin 2018.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se për këtë hulumtim janë monitoruar rreth 2 mijë seanca, për çka janë evidentuar edhe zvarritjet e lëndëve.

Miftaraj: Qytetari i Kosovës duhet të pres deri në 10 vjet për të realizuar të drejtën e tij (Video)

“Karakteristikë tjetër e këtij raporti është fakti i drejtësisë selektive, ku gjykatat tona, gjyqtarët individualë gjatë trajtimit të rasteve civile, shofim se nuk i trajtojnë në mënyrë të njëjtë qytetarët e thjeshtë, në raport me qytetarët të cilët kanë pozita të caktuara, qoftë në administratën publike, qoftë ata që vijnë nga politika. Ligji i aplikueshëm në Kosovë përcakton që qytetarët e Kosovës të realizojnë të drejtat e tyre, brenda një afati të arsyeshëm kohor. Duke marrë për bazë edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Në bazë të monitorimit të mbi 2 mijë seancave gjyqësore, vetëm në dy vitet e fundit, atëherë del që qytetari i Kosovës për të realizuar një të drejtë të tij duhet të pres ndoshta edhe në deri 10 vjet, e jo rrallë edhe 15 vjet”, ka thënë Miftaraj.

Derisa ka folur për zvarritjen e lëndëve, Miftaraj ka theksuar se gjykatat në Kosovë po luajnë lojën e “ping-pongut”, duke treguar se në raste të caktuara ani pse ka një vendim meritor të gjykatës së shkallës së parë, këto lëndë shkojnë me ankesë në Gjykatën e Apelit dhe të njëjtat kthehen në rigjykim.

Gëzim Shala, i cili është hulumtues në Institutin Kosovar për Drejtësi, ka theksuar se pavarësisht rritjes së numrit të gjyqtarëve, numri i lëndëve të zgjidhura ka rënë vit pas viti.

Shala: Gjyqtarët nuk po arrijnë normën (Video) “Në vitin 2018, del se gjyqtarët nuk e kanë arritur normën orientuese të përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për arsye se mesatarisht secili gjyqtarë ka kryer nga 182 lëndë, përkatësisht nga 147 lëndë më pak. Ndonëse gjatë vitit 2016, 2017 dhe 2018 numri i gjyqtarëve është rritur ne vazhdimisht kemi parë se është rritur edhe numri i lëndëve të trashëguara vit pas viti, përkatësisht numri i lëndëve të pazgjidhura gjatë vitit 2019, sa i përket normës, gjyqtarët përsëri nuk e kanë arritur normën, për arsye se kanë kryer 57 lëndë më pak, nga norma orientuese e përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, është shprehur Shala.

Sipas tij, ka gjyqtarë që kanë kryer lëndë mbi normën orientuese dhe ka të tjerë që as nuk i janë ofruar kësaj norme.

Kështu në vitin 2019, janë kryer 166 lëndë më shumë sa që kanë pranuar, por që sipas Gashit, nëse shkohet në këtë tempo do të duhen mbi 100 vjet për të zgjidhur të gjitha lëndët në çështjet civile.

Shala: Nëse shkohet në këtë tempo do të duhen hiç më pak se 122 vjet për të përfunduar lëndët e pazgjidhura

Miftaraj“Nëse shkohet në këtë tempo rastet civile drejt sistemit gjyqësor të Kosovës, i duhet hiç më pak se 122 vjet për t’i përfunduar të gjitha lëndët e pazgjidhura. Por, kjo nuk do të thotë se  një kohëzgjatje e tillë nevojitet edhe në rast se gjyqtarët e arrijnë normën, sikur gjyqtarët e arrijnë normën përcaktuese nga KGJK, ky numër do të ulej brenda dy viteve. Por, jo në secilën rast, edhe norma e gjyqtarëve, numri i lëndëve të kryera, mund të shërbej si mekanizëm për vlerësimin e performancës”, tha ai.

IDK ka rekomanduar që sistemi gjyqësor të angazhohet maksimalisht që lëndët civile të kryhen brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Shqiponjë Gashi, hulumtuese në IKD tha se zvarritja e lëndëve nëpër gjykata e humb besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Gashi: KGJK duhet të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse

(Video) “Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse të ngarkesës së divizioneve civile me lëndë, në mënyrë që të ketë mundësi të ndërmarrë hapa për stabilizimin e këtyre divizioneve, veçanërisht sa i përket lëndëve të cilat barten vit pas viti”, ka thënë ajo.

Mes tjerash, ajo tha se gjykatat duhet të trajtojnë me prioritet më të madh lëndët që janë duke pritur me dekada, duke përmendur kështu rastin e padisë së qytetarit ndaj AKP-së, në të cilin rast edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat