Hyseni: Ideja e “Schengenit ballkanik”, arrogancë e papranueshme nga Tirana zyrtare

Aktuale

Hyseni: Ideja e “Schengenit ballkanik”, arrogancë e papranueshme nga Tirana zyrtare

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 20:11
Skender Hyseni

Ish-ministri i Jashtëm të Kosovës nga LDK-ja, Skender Hyseni, e ka konsideruar të dëmshme idenë e Mini “Shengenit ballkanik”.

Hyseni në “Dossier D” ka thënë se Ministria e Jashtme duhet ta pranojë se ka dështuar me rastin e tërheqjeve të njohjeve të shteteve të Kosovës.

Ai ka thënë se diplomacia nuk duhet të ketë zbrazëtira, por duhet të jetë funksionale në vazhdimësi.

Në këtë drejtim Hyseni thotë se Serbia ka shfrytëzuar disa hapësira për të bërë këtë fushatë.

Ish-ministri i Jashtëm thotë se procesi i tërheqjes së njohjeve në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ekziston.

Ai thotë se edhe nëse ndonjë shtet e ka njohur Kosovën me notë verbale, tërheqja kërkon një veprim reciprok- me notë verbale.

“Edhe në këtë rast njohja nuk tërhiqet por pezullohet. Ndërpriten marrëdhëniet”.

Ish-deputeti i LDK-së thotë se Serbia më tepër këtë proces po e përdor për të dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës.

Duke folur për idenë e Mini ‘Schengenit ballkanik’, Hyseni ka thënë se Shqipëria ka bërë një gabim shkollor në diplomaci që është përfshirë në këto samite.

Ai ka thënë se Shqipëria nuk e ka komoditetin e Maqedonisë apo Malit të Zi pasi duhet ta ketë parasysh që shqiptarët janë në probleme me serbët.

“Nuk jam në dijeni që Shqipëria është konsultuar me Kosovën. Është një hap i nxituar… Është një arrogancë e papranuar nga Tirana zyrtare”.

Ish-ministri i jashtëm thotë se ideja e Mini Shengenit ballkanik është përdorur dikur nga Kosova me mjeshtri në mënyrë që shtetet e Ballkanit të njeheshin reciprokisht por sipas tij në konceptin e tanishëm kjo ide e dëmton Kosovën.

Hyseni ka thënë se Serbia do të jetë përfituesja më e madhe e Mini Shengenit ballkanik në aspektin ekonomik pasi sipas tij ajo ka vijën më të gjatë të kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat