Qeveria Haradinaj mori 10 milionë euro nga fondet e pensioneve në Trust

Aktuale

Qeveria Haradinaj mori 10 milionë euro nga fondet e pensioneve në Trust

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 17:01
Qeveria në ikje

Sipas raportit të shpenzimeve të Qeverisë, Janar – Shtator të vitit 2019, të cilin e  ka siguruar Buletini Ekonomik, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, në vitin 2018 ka financuar buxhetin e Kosovës me rreth 10 milionë euro para të pensionistëve kosovarë.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka 6 vite që nuk ka mundur t’i identifikojë pronarët e saktësisht 9 milionë e 970 mijë eurove të punëtorëve kosovarë.

Ndërkohë këto mjete, në pamundësi identifikimi të pronarëve përkatës, kanë shkuar direkt në buxhetin e Qeverisë gjatë vitit 2018, nën qeverisjen e ish-Kryeministrit Haradinaj.

Image

Mirëpo, në lidhje me këtë çështje ekziston edhe dispozita ligjore që ia lejon Fondit të Kursimeve Pensionale ta financojë buxhetin e shtetit të Kosovës.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Fondin e Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, në pyetjet e parashtruara nga Buletini Ekonomik, si përgjigje na ka ofruar Ligjin Nr.05/L-116, përmes të cilit ata kanë bërë edhe kthimin e kontributeve të paalokuara në ATK.

Aty thuhet se Ligji i Kosovës për Fondet Pensionale, më saktësisht neni 3, pika 3, e autorizon FKPK-në që mjetet apo kontributet që nuk iu dihet pronari, t’i kalojnë në buxhetin e shtetit, por vetëm kur Bordi i Fondit ta ketë informuar Qeverinë që ka shtjerrë të gjitha mundësitë e identifikimit të atyre kontributeve.

Ndërkaq, i njëjti Ligj po ashtu thekson se në rast të identifikimit të paguesve të kontributeve edhe pas afatit gjashtë vjeçar, mjetet e inkasuara i kthehen Fondit, së bashku me kamatën ekuivalente dhe me fitimin mesatar që ka pasur Fondi gjatë kësaj periudhe. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat