Qalaj qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë - Bota Sot
Qalaj qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë

Aktuale

Qalaj qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 19:37
Rashit Qalaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë, gjatë së cilës pritet të realizohen takime të niveleve të ndryshme, përfshirë takime me drejtorin e Byrosë Federale të Antikorrupsionit, drejtorin e Shërbimit të Inteligjencës Kriminale, drejtorin e Policisë së Landit të Vjenës, si dhe takime të niveleve tjera.

Sot janë realizuar takime me zyrtarët e Sekretariatit të OSBE-së, konkretisht të Departamentit të Kërcënimeve Transnacionale, si me Georgia Holmer, Guy Vinet dhe Deniss Cosgrove, ku janë diskutuar tema të ndryshme, si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar transnacional, përfshirë edhe diskutimet rreth konceptit të Policimit të Udhëhequr nga Inteligjenca.

Drejtori Qalaj ka falënderuar zyrtarët e OSBE-së për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që OSBE-ja ka bërë dhe po bën ndaj Policisë së Kosovës në fusha të ndryshme, që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve policore.

Këto takime kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, shkëmbimin dhe rritjen e përvojave në parandalimin dhe luftimin e rreziqeve dhe kërcënimeve në fushën e sigurisë, përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, krimin transkufitar, krimin kibernetik, migrimin ilegal, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat