“Evropa nuk ia kthen shpinën Ballkanit Perëndimor” - Bota Sot
“Evropa nuk ia kthen shpinën Ballkanit Perëndimor”

Aktuale

“Evropa nuk ia kthen shpinën Ballkanit Perëndimor”

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 19:26
Flamuri i Evropës

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen theksoi se Evropa nuk do t’ia kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor.

Pas debatit në Këshillin e BE-së, shefja e diplomacisë finlandeze tha se shtetet anëtare shpalosën përshtypjet e para rreth propozimit francez për metodologjinë e zgjerimit të BE-së, por se marrëveshja eventuale mund të arrihet vetëm pasi të fillojë me punë Komisioni i ri i BE-së, pra në pranverën e ardhshme.

“Kishim tryezë të rrumbullakët, ku kuptohet se dëgjuam propozimin francez dhe pati shtete që e mirëpritën dhe shtete që kishin dilema për të njëjtën. Qëndrimi i përbashkët është se të gjithë presim që Komisioni të fillojë mandatin sa më parë që është e mundur dhe të propozojë ide se si të lëvizim përpara në politikën e zgjerimit. Është herët të flitet për ndikim e mundshëm në Ballkanin Perëndimor”, tha Tuppurainen.

Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave.

“I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë sekretarja shtetërore franceze, Montchalin mes rreshtash thotë se metodologjia e re e zgjerimit kërkon harmonizim jo vetëm ligjor.

“Ne nuk i ndryshojmë rregullat në mes të lojës. Shohim se procesi nuk funksionon sepse është shumë i ngadalshëm për ata që marrin pjesë në të. Procesi nuk udhëhiqet politikisht, ka automatizëm dhe para së gjithash, popujt nuk e gjejnë veten aty”, tha Montchalin.

Propozimi francez parashikon që shtetet kandidate të kalojnë shtatë faza në mënyrë që të integrohen si anëtare të plotfuqishme të BE-së. Franca pret që metodologjia e re mbi bazë të propozimit të bërë dhe rekomandimeve të shteteve anëtare dhe atyre kandidate të miratohet deri në vitin 2020.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat