Fëmijët martirë ende pa obelisk, familjarët paralajmërojnë padi për Serbinë

Aktuale

Fëmijët martirë ende pa obelisk, familjarët paralajmërojnë padi për Serbinë

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 14:54
Billbordi

Në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1432 fëmijëve martirë, të vrarë e të masakruar nga Serbia fashiste, në periudhën e viteve 1981 -1999, u bë përurimi i billbordit me pamje të obeliskut me dimensione 3 metra të gjerë e 4 metra të gjatë, i cili u vendose në hapësirën reklamuese përballë Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

E krejt kjo u bë për ta njoftuar opinionin publik se pikërisht në atë vend do të ngritët kompleksi memorial në formë obelisku, i gjatë 30 metra dhe i gjerë 20 metra, në një sipërfaqe prej një hektarësh, ku do të mbillen 1432 pemë të tipit "poni" japonez, dhe në secilën pemë do të jetë nga një emër i fëmijëve të vrarë, data e lindjes dhe e vrasjes së tij.

Dizajnuesi i kompleksit dhe obeliskut, Rrezart Galica, tha se shënimin e ditës ndërkombëtarë të të drejtave të fëmijëve do të ishte mirë ta bënin në kompleksin memorial “Fëmijët martirë të Kosovës”, por sipas tij institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme që këtë projekt ta zhbllokojnë dhe ta ndërtojnë ashtu si ka qenë nga fillimi i menduar, andaj kjo ka mbetur pezull dhe shpreson që vitin e ardhëm të jetë e përfunduar.

Galica: Në emër të familjarëve do të ngrisim padi për vrasjen e 1432 fëmijëve

“Sot po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve e cila është caktuar 20 nëntori, dhe në vend se atë ta shënojmë me kompleksin memorial ‘Fëmijët martirë të Kosovës”, ne kemi vendosur që ta shënojmë me billbord sepse institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme që këtë projekt ta zhbllokojnë dhe ta ndërtojnë ashtu si ka qenë nga fillimi i menduar, andaj kjo ka mbetur pezull për shkak të mosmarrëveshjeve mes Agjencisë së Privatizimit dhe Zyrës së Kryeministrit. Tash e një vit jemi në pritje të përgjigjes së tyre, po shpresojmë që vitin që vjen të zhbllokohet ky proces i ndërtimit të kompleksit dhe 20 nëntorin ta shënojmë në kompleksin për këta fëmijë martirë. Jemi në fazën e organizimit të mbledhjes së nënshkrimeve të familjarëve dhe në emër të tyre do të ngrisim padi për vrasjen e 1432 fëmijëve sigurisht ky do të jetë proces më i gjate por do të kulmojë me padi kundrejt Serbisë”, tha Galica.

Xhavit Muqolli, familjar të cilit okupimi serb ia vrau vajzën 4-vjeçare Eronitën dhe djalin 2-vjeçar Fatosin, shpreson që ky projekt të realizohet dhe nuk do të mbetët vetëm në letër.

Ai deklaroi se fëmijët martirë të Kosovës meritojnë të kenë një kompleks memorial ku do të mund t’i kujtonin familjarët.

Muqolli: Shpresoj që ky projekt nuk do të mbetet vetëm në letër

“Sot këtu kemi ardhur për të përuruar apo për të vendosur billbord, e cila e mira së mirës do te ishte të ishte i realizuar projekti edhe pse shumë i vonuar shpresojmë mos të mbetet vetëm në letër, kërkojmë nga qeveria që të paktën të investojë dhe të shtyjë përpara projektin i cili është iniciative personale e Nusret Pllanës”, tha Muqolli.

Ai falënderoi profesorin Nusret Pllana për ketë iniciativë për ndërtimin e kompleksit memorial.

Kryetari i Këshillit Koordinues për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte, Ahmet Grajqevci , tha se kjo është një ide shumë e mirë nga profesori Nusret Pllana, dhe iu lut institucioneve vendore të merren me ketë çështje mos ta lënë vetëm në dorën e humanistëve.

Grajqevci: Institucionet të mos ia lënë në dorë vetëm humanistëve

“Sa i përket obeliskut që jemi këtu meqë është i vonuar bukur gjatë, është varur shumë prej institucioneve sepse ata është dashur të merren me këtë çështje dhe jo në mënyrën humanitare të jetë çdo gjë, kjo është një ide jashtëzakonisht e mrekullueshme e profesorit të nderuar që e ka menduar, ne kemi 1400 fëmijë të vrarë dhe të zhdukur në mosha të ndryshme, kemi edhe një mungesë mbi 300 fëmijë që janë ende të zhdukur”, deklaroi Grajqevci.

Ndryshe para dy ditëve  u bë promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999”, nga autorët Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi. Ky libër u kushtohet më shumë se 1400 fëmijëve martirë të Kosovës, të vrarë e të masakruar nga Serbia në periudhën e viteve 1981 – 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat