“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes”, anëtari i NISMA-s thotë se u sulmua nga aktivisti i VV-së

Aktuale

“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes”, anëtari i NISMA-s thotë se u sulmua nga aktivisti i VV-së

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 19:51
Nisma - LVV

Derisa është drejt fundit përmbyllja e rinumërimit të mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve, kanë vazhduar tensionet mes Vetëvendosjes dhe Nismës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë ditës, janë përleshur komisioneri i Nismës, Endrit Zabërgja, me atë të Vetëvendosjes, Valon Hoti.

Derisa, nipi i Fatmir Limajt thotë se është sulmuar nga anëtari i Vetëvendosjes, ky i fundit mohon të ketë pasur konfrontim fizik.

Zabërgja e Hoti, situatën e kanë shpjeguar në Facebook.

“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes, të cilët nuk po mund ta kontrollojnë mllefin që u shkaktua nga anulimi i votave të SRPSKA-s, po e manifestojnë me sulme nga mbrapa sepse u mungon guximi për ballafaqim direkt dhe me argumente. Në pamundësi për të grabitur mandate, ata, në QNR, po synojnë të vjedhin vota duke tentuar t’i bëjnë votat tona të pavlefshme, përderisa rinumërimi është afër përfundimit. Matrapazë hipokritë, kaq e patët për QNR, shihemi në përballjet tjera politike!”, ka shkruar Endrit Zabërgja.

Kurse Valon Hoti i Vetëvendosjes, thotë se është fyer nga Zabegja në baza familjare.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! me vëzhguesit e saj nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që vota dhe vullneti i qytetarëve të tjetërsohet. Votën dhe vullnetin e shprehur më 6 tetor do ta ruajmë me çdo kusht. Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentelë tash po duan të ndërhyjnë në vota që po u duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet. Në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues, me ç’rast nipi i Fatmir Limajt filloi të më fyejë në baza familjare dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik. Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën, cilado qoftë ajo, dhe ashtu do të vazhdojmë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ky nuk është incidenti i parë gjatë këtij procesi.

Ditë më parë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është përjashtuar vëzhguesi i Nismës, Behar Amërllahu, pas fyerjeve e kërcënimeve të bëra ndaj koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj.

Rinumërimi i më shumë se 1 mijë e 400 vendvotimeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, pritet të përfundojë të dielën, duke i hapur kështu rrugën certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pas më shumë se 1 muaj e gjysmë pas përfundimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat