Deklarohet e pafajshme e akuzuara për pjesëmarrje në grupet terroriste në Siri e Irak

Aktuale

Deklarohet e pafajshme e akuzuara për pjesëmarrje në grupet terroriste në Siri e Irak

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 11:16
Foto

E akuzuara për pjesëmarrje në grupe terroriste, Melihate Alshiqi, është deklaruar e pafajshme në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ajo po akuzohet se në korrik të vitit 2015, së bashku me burrin e saj, tani të ndjerë dhe fëmijën e tyre, kanë kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, me destinacion Sirinë, me qëllim që t’i bashkëngjiten grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë, në prill të vitit 2019.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Bajrami, e akuzuara tha se ndihet plotësisht e pafajshme për këtë vepër penale që i vihet në barrë.

“Jam plotësisht, fizikisht dhe psiqikisht e pafajshme”, tha e akuzuara Alshiqi.

Pas deklarimit të të akuzuarës lidhur me fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli e ka njoftuar atë se brenda 30 ditësh mund të bëjë kundërshtimin e provave dhe të kërkojë hedhjen e kësaj aktakuze.

Për kundërshtimet eventuale që mund të paraqiten, gjykatësi Konxheli ka njoftuar se do të vendoset me shkrim brenda afatit ligjor.

Po ashtu, gjykatësi Konxheli ka njoftuar se shqyrtimi i dytë në këtë çështje penale nuk do të mbahet, përveç nëse gjykata e konsideron të nevojshme sqarimin e ndonjë prove.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 25 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Melihate Alshiqi për shkak të veprës penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-052.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Melihate Alshiqi akuzohet se më 12 korrik 2015, së bashku me bashkëshortin e saj, tani të ndjerë, Bekim Mulolli dhe fëmijën e tyre të moshës një vit e gjysmë, me vetëdije dhe vullnet të plotë, ka kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe ka përfunduar në destinacionin e huaj në zonën e konfliktit në Siri.

PSRK-ja pretendon se e akuzuara Alshiqi ka ndërmarrë këto veprime me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”, të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë, më 20 prill 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat