E akuzuara pranon fajësinë, thotë se në Siri shkoi për t’u bashkuar me burrin e saj, e jo për qëllime tjera

Aktuale

E akuzuara pranon fajësinë, thotë se në Siri shkoi për t’u bashkuar me burrin e saj, e jo për qëllime tjera

Më: 13 janar 2020 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

E akuzuara për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Afërdita Mulolli, në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Habibe Salihi, e akuzuara Mulolli, tha se në mënyrë vullnetare e pa presion deklarohet fajtore.

“E pranoj fajin, e di se kam gabu se jam shku aty, këtë pranim e bëj me vullnetin tim të plotë, pa presion, e vetëdijshme për favoret dhe pasojat e pranimit të fajit”, tha e akuzuara Mulolli.

Ky pranim i fajit nuk u kundërshtua nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Fllanza Kadiu e as nga prokurorja Salihi, e më pas u aprovua edhe nga gjykatësja Valbona Selimaj, me arsyetimin se ishte bërë vullnetarisht nga e akuzuara, pa presion, duke i ditur pasojat dhe benefitet e këtij pranimi.

Më pas, e akuzuara Mulolli tha se në Siri kishte shkuar për t’u bashkuar me burrin e saj, e jo për ndonjë qëllim tjetër, dhe se gjatë qëndrimit atje kishte përjetuar një tmerr të madh.

“Gjatë qëndrimit tim në Siri, e sidomos në kohën e fundit e kam përjetuar një tmerr të madh, dhe kërkoj falje për veprimet e mia, unë kam shkuar vetëm tek burri im, për kurrgjo tjetër”, shtoi e akuzuara.

Ajo pranoi se ishte penduar për shkuarjen në Siri, por shtoi se tanimë ndihej mirë, me fëmijët e saj.

“Jam penduar shumë që kam shkuar, tani ndihem mirë që jam me fëmijët e mi, në shpinë time, premtoj që s’kam me përsërit vepra të tilla në të ardhmen” tha e akuzuara.

Avokatja Kadiu tha se e mbrojtura e saj nuk kishte shkuar në Siri me vullnetin e saj, por ishte shtytur nga rrethanat familjare, duke mos qenë në dijeni se në Siri ishte gjendje lufte.

“Kjo nuk ka shku atje me vullnetin e saj, por e ka shtytë gjendja familjare, edukata familjare në të cilën ka jetu, dhe kur i ka thon burri eja atje, merri fëmijët, kjo është dashtë çka i ka thon burri me vepru, ai nuk i ka tregu se atje ka luftë, edhe gjatë bisedave me telefon, s’i ka jap përshtypjen se atje është luftë, kjo ka mendu që po shkon për një jetë më të mirë, m’i qitë fëmijët në selamet. Atje i është vra burri, tani jeton me fëmijët e saj”, tha avokatja Kadiu.

Më pas, prokurorja Salihi, i ka propozuar gjykatës që si rrethana lehtësuese me rastin e caktimit të dënimit të merren pranimi vullnetar i fajësisë nga e akuzuara, pendimi i saj i thellë, duke kërkuar një dënim sipas ligjit.

Ngjashëm edhe avokatja Kadiu, ka kërkuar nga gjykata që si rrethana lehtësuese të merren pranimi i fajit nga e mbrojtura e saj, pendimi i sinqertë, rrethanat familjare të saj dhe se ajo është mbajtëse e vetme e familjes.

Sa i përket dënimit, avokatja Kadiu i ka propozuar gjykatës shqiptimin e një dënimi të kushtëzuar, e në të njëjtën kohë ajo kërkoi angazhimin e organeve shtetërore që klientes së saj t’i mundësohej blerja e një makine qepëse, si mjet për sigurimin e ekzistencës materiale të saj.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 14 janar, nga ora 13:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Afërdita Mulolli për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Afërdita Mulolli akuzohet se më 14 dhjetor 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe përmes aeroportit të Shkupit, ka udhëtuar për në Stamboll, e pastaj përmes Turqisë ka hyrë në në Siri, duke iu bashkuar bashkëshortit të saj, i cili e kishte pritur atje.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, ajo me qëllim i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, e cila në ato vende është duke luftuar dhe vepruar, duke shkaktuar akte dhune nga maltretimet më të skajshme e deri te vrasjet e civilëve të pafajshëm në këto shtete.

PSRK-ja pretendon se e akuzuara Mulolli nga kjo organizatë është financuar rregullisht me një shumë të të hollave në vlerë prej 200-300 euro në muaj, organizatë kjo e cila nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është shpallur si terroriste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat