Vetëm kjo parti kundër, AAK e Nisma të gatshme të shqyrtojnë oferta për të hyrë në qeveri

Aktuale

Vetëm kjo parti kundër, AAK e Nisma të gatshme të shqyrtojnë oferta për të hyrë në qeveri

Më: 16 janar 2020 Në ora: 19:25
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), assesi të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Që nga 6 tetori i vitit 2019, kur edhe janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si parti e dytë, assesi nuk po mund të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Duke e parë këtë ngërç politik që është krijuar mes këtyre dy subjekteve politike për formimin e Qeverisë së Kosovës, media ka kontaktuar me partitë opozitare, për të parë nëse janë të gatshme që të jenë pjesë e qeverisë LVV-LDK, në rast se iu ofrohet ndonjë ministri.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është e vetmja parti e cila ka bërë të ditur se nuk do të jetë në asnjë mënyrë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Zyrtarët e PDK-së, kanë thënë se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë që të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Sipas tyre, atë që kreu i PDK-së, Kadri Veseli e ka thënë dy orë pas përfundimit të zgjedhjeve, se PDK-ja do të jetë opozitë, ai qëndrim vlen edhe sot.

Në anën tjetër, Rasim Selmanaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë, se në rast se ka ndonjë ofertë të tillë, do të diskutohet në organet e partisë mirëpo, sipas tij, AAK-ja momentalisht është në pritje të formimit të qeverisë nga LVV-ja dhe LDK-ja.

“Nuk është diskutuar deri më tani, por në rast se kemi ndonjë ofertë do ta shqyrtojmë si parti. Mirëpo, ne po presim fillimisht që Vetëvendosje dhe LDK-ja të arrijnë marrëveshjen dhe ta formojnë Qeverinë, nëse mund ta bëjnë. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë ofertë, por nëse ka do ta shqyrtojmë”, ka thënë Selmanaj, duke shtuar se AAK-ja nuk është kategorikisht kundër, por që siç u shpreh ai, çdo ofertë do të diskutohet në organet e partisë.

Albulena Balaj, nga Nisma Socialdemokrate, ka bërë të ditur për lajmin, se partia e saj, nuk bën koalicion me dikë që i ofron vetëm ndonjë ministri.

Sipas Balajt, Nisma do të bëhej pjesë e qeverisë vetëm nëse programi qeverisës i bashkon me partitë në pushtet.

“Në fakt ne nuk bëjmë koalicion me dikë vetëm nëse na ofrohet ndonjë ministri. Është programi qeverisës ai i cili do të na bashkonte ose jo me dikë. Pastaj se a do të pranonim ndonjë ftesë, kjo varet nga Kryesia e Nismës dhe udhëheqja e saj e cila ka marrë mandatin nga ne që të vendos”, ka deklaruar Balaj.

Theksojmë se tash e 15 javë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje, ndonëse ishte premtuar se kjo marrëveshje do të arrihet qysh në javën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Arsyeja pse nuk është arritur deri më tani marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të këtyre dy subjekteve politike është për shkak të mos pajtimeve për ndarjen e posteve e në veçanti për shkak të insistimit të LDK-së për postin e presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat