Lajmërohet më në fund edhe Nasim Haradinaj: Thërret Albin Kurtin që të ulët me këta persona që të diskutojnë një koalicion

Aktuale

Lajmërohet më në fund edhe Nasim Haradinaj: Thërret Albin Kurtin që të ulët me këta persona që të diskutojnë një koalicion

Nga: N.H Më: 25 janar 2020 Në ora: 00:29
Nasim Haradinaj

I ka ardhur rendi që edhe Nasim Haradinajt të jap një ide rreth koalicionit për qeverinë e re.

Ai në një shkrim të gjatë përveç idesë për një koalicion të ri, hedh edhe akuza të rënda për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Haradinaj ka bërë një thirrje publike për liderin e VV-së, Albin Kurti, që të ulet me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limen në një tavolinë, para se ta bëjnë këtë Isa Mustafën dhe Agim Veliun.

Sipas Haradinajt, që dihet edhe publikisht se ka një urrejtje të madhe për LDK-në, thotë se çdokush që mendon se Isa Mustafa është më i mirë se Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Lima është i krisur.

Ja shkrimi i tij:

Jam shumë i pikëlluar që edhe dy dekada pas çlirimit partitë tona politike e përçajnë më shumë popullin se sa arimku i përbetuar i shqiptarëve Serbia.

Është për të vajtuar që populli shqiptar dy dekada pas luftës nuk është në gjendje ta dallojë armikun prej mikut.

Dikujt si duket po i konvenon që në popull te krijohet përshtypja se armiku më i madh i shqiptarit është shqiptari.

Ka diçka të vërtetë edhe në këtë konstatim, mirëpo dorën në zemër realiteti e ka dëshmuar që kur kjo mendësi mbillet dhe përhapet në popull, atëherë tradhtia ndaj interesave nacionale është vetëm çështje kohe.

Jam shumë dakord që të luftohet krimi i organizuar, korrupsioni, abuzimi me buxhetin, tenderet, privatizimin e kështu me radhë, por çdo gjë sipas një logjikë të arsyeshme shtet ndërtuese si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Fakti që këto dukuri nuk janë luftuar deri me tani ndërlidhet me mungesën e vullnetit politik në të gjitha subjektet politike, prandaj nuk mund të fajësohet vetëm Pdk.

Fajin e bartin të gjitha Partitë pushtetmbajtëse politike pa përjashtim prej vitit 1999 e deri në ditën e sotme.

Mirëpo me votat e kujt kanë ardhur këto parti në pushtet?

Natyrisht me votat e popullit.

Atëherë si mund të ndryshon politika zyrtare për të mirë?

Natyrisht kur ndryshon populli për të mirë.

Ku fillon ndryshimi?

Natyrisht në kokat dhe zemrat e njerëzve.

Shqiptarët vija të kuqe duhet të kenë vetëm me çetnikët, por asesi me njeri tjetrin.

Është koha që të bëhemi bashkë, përndryshe do të na detyron realiteti dhe pastaj mund të jetë vonë.

Nuk e kemi luksozin për t'ia hequr kokat njëri tjetrit sot kur Serbia sërish është shndërruar në përbindëshe të shqiptarëve me lejen e heshtur të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Albin Kurti duhet të ulet me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limen në një tavolinë para se ta bëjnë këtë Isa Mustafa dhe Agim Veliu.

Çdokush që mendon se Isa Mustafa është më i mirë se Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Lima ose është i krisur, ose nuk po e kupton që Ldk është Partia që e ka mbjellur e para përçarjen ndërmjet shqiptarëve dhe krimin e organizuar e korrupsionin.

1.Kur e ka menaxhuar robërinë ashtu siç i ka konvenuar Serbisë.

2.Kur i ka bojkotuar demonstratat studentore.

3. Kur ka mbajtur zgjedhje parlamentare pas tragjedisë në familjen Jashari dhe në kohën kur po kallej flakë çdo cep i Kosovës.

4. Kur e ka sabotuar luftën.

5.Kur ka lobuar në arenën ndërkombëtare kundër UÇK-së të cilën e ka quajtur organizatë terroriste, gjë që e pranon madje edhe vet Sali Berisha.

6. Kur e ka plaçkitur fondin 3%.

7. Kur më paratë e fondit 3% i ka financuar zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës.

8. Kur më ato para të popullit e ka themeluar Dardania Banken në vend të Republikës që ia ka premtuar popullit.

9. Pas luftës kur disa zyrtarë të lartë të Ldk-së kanë lobuar ndërkombëtarisht kundër UÇK-së më shumë se sa politikanët shovinist serb, gjë që për epilog e ka pasur themelimin dhe futjen e Gjykatës Speciale në Kosovë.

Mirëpo a është komplet anëtarësia e Ldk-së fajtore për tradhtinë dhe hajninë që ka ndodhur në këtë subjekt dhe nga ky subjekt?

Jo nuk është.

Ajo që dua të them është se nëse duhet të përcaktohemi ndërmjet hajnave dhe tradhtarve sepse për momentin alternativë tjetër s'kemi, atëherë mendimi im është se më mire është që të provojmë t'i bindim disa hajna të fuqishëm që s'janë tradhtarë që të bëhen bashkë me njerëzit e ndershëm në politikë dhe popull kundër përbindëshit Serbi.

E tek pasi ta mposhtim Serbinë në tavolinë t'iu falënderohemi që na kanë ndihmuar për ta kryer një punë të mbarë dhe të kërkojmë prej tyre që të pendohen sinqerisht pse kanë vjedhur aq shumë.

Pastaj t'i bindim që t'ia kthejnë vullnetarisht popullit një pjesë të madhe të pasurisë së paligjshme.

E nëse nuk e bëjnë këtë atëherë hajrin ja pafshin dënimit të merituar.

Besoj që edhe për ta më mirë është që të burgosen për hajni se sa për tradhti.

Sepse jam shumë i bindur që tradhtaret gabimisht i kërkojmë në Partitë e luftës.

Ata janë diku tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat