PDK kërkon që Konjufca të japë dorëheqje, e quan ‘ideolog të Syrit të Popullit’

Aktuale

PDK kërkon që Konjufca të japë dorëheqje, e quan ‘ideolog të Syrit të Popullit’

Më: 28 janar 2020 Në ora: 15:36
Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca të jap dorëheqje pas dënimit të anëtarëve të organizatës “Syri i Popullit”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, tha se nesër mbushen një javë prej kur është dënuar organizata ”Syri i Popullit” dhe anëtarët e saj e nuk ka asnjë reagim nga Vetëvendosja, që sipas tij, e ka frymëzuar këtë formacion para-politik, i cili qëllim kryesor kishte vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Ai deklaroi në një konferencë për media se është e domosdoshme që Lëvizja Vetëvendosje të reagojë duke u distancuar nga kjo organizatë terroriste dhe duke dënuar veprimtarinë e saj.

Hamza: Konjufca urgjentisht të japë dorëheqje

“Tanimë që aktakuza është provuar dhe aktivistë të Vetëvendosjes si Sadri Ramabaja tashmë janë dënuar, është bërë e domosdoshme që Lëvizja Vetëvendosje të reagojë duke u distancuar nga kjo organizatë terroriste dhe duke dënuar veprimtarinë e saj. Për këtë arsye, kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet urgjentisht të japë dorëheqje që ta ruajë karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës. Heshtja e vazhduar e Lëvizjes Vetëvendosje nuk bën gjë tjetër përveçse legjitimon aktet terroriste të kësaj organizate dhe vërteton lidhjet e ngushta politike dhe familjare mes ‘Syrit të Popullit’ dhe Vetëvendosjes”, tha Hamza.

Ai tha se për PDK-në është e papranueshme qasja e deritanishme e VV-së, e cila po pretendon të udhëheqë institucionet e vendit, ndërsa sipas tij, më alarmante është mos deklarimi për këtë çështje nga ana e vetë Konjufcës, për të cilin Hamza tha se është një nga ideologët politik të kësaj organizate.

Hamza: Konjufca një nga ideologët politik të kësaj organizate terroriste

“Akoma më alarmante është mos deklarimi për këtë çështje i kryetarit të Kuvendit të Kosovës që vjen nga kjo parti, Glauk Konjufcës, i cili është një nga ideologët politikë të kësaj organizate terroriste. Si mbajtësi i njërës prej pozitave më të rëndësishme të shtetit të Kosovës, ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqarojë opinionin publik për implikimin e tij personal me këtë organizatë kur dihet për më tepër se ai është edhe i lidhur ngushtë familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terroriste, Sadri Ramabajën, ish-kandidatin për deputet dhe ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Hamza tha se aktivitetet e kësaj organizate të dënuar për veprimtari terroriste janë produkt i një fushate të gjatë e intensive të gjuhës së urrejtjes, linçimit publik të kundërshtarëve politikë, të demonizimit të rivalëve elektoralë, si dhe të stigmatizim sistematik të institucioneve dhe figurave shtetërore.

Sipas tij, kjo fushatë u përshkallëzua në akte të organizuara dhune që variuan nga sulmet me gurë, molotov, vezë, sprej e gaz lotsjellës e deri te djegia e makinave personale të përfaqësuesve të partive kundërshtare, vendosja e bombave nëpër shtëpi private e gjuajtja e institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Ai tha se kjo fushatë sistematike kulmoi me veprimtarinë e organizatës terroriste ‘Syri i Popullit’, e cila kishte përgatitur një plan mizor për të likuiduar kundërshtarët politikë dhe figura publike që mendonin ndryshe prej tyre. Këtë plan Hamza tha se filluan ta zbatonin me një tentativë për vrasje kundër avokatit Azem Vllasi.

Ndryshe, më 22 janar të këtij viti Avni Llumnica është dënuar me 12 vjet burg nga gjykata, pasi u gjet fajtorë në akuzat e Prokurorisë në rastin “Syri i Popullit”. I akuzuari tjetër Ragip Sallova është dënuar me  4 vjet, Sadri Ramabaja 5, Behxhet Luzha 2, Halim Halimi 3, Bajrush Konjusha 3, Rexhep Topllani 2, Murat Jashari ndalim psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

I pari në listë për t`u eliminuar si tradhtar i vendit nga kjo organizatë ishte Azem Vllasi, duke vazhduar pastaj me krerët e tjerë shtetërorë të shpallur si tradhtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat