Haxhiu thotë se ishte kundër largimit të Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, tregon se këtë e ka kërkuar vetë ai

Aktuale

Haxhiu thotë se ishte kundër largimit të Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, tregon se këtë e ka kërkuar vetë ai

Më: 4 shkurt 2020 Në ora: 00:16
Haxhiu dhe Konjufca

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ka qenë kategorike kundër largimit të Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, por thotë se kjo ka ardhur me kërkesë të vetë Konjufcës.

“Unë kam qenë kategorike kundër që Konjufca të largohet nga ulësja e kryetarit të Kuvendit, por kjo ka qenë kërkesë e zotit Konjufca. Ai ka pasur një takim me kryeministrin Kurti dhe aty ia ka shpjeguar situatën ku ai nuk mund ta përballojë një situatë ku dështon qeveria e VV-së. Jemi detyruar ta pranojmë kërkesën e Konjufcës, meqë ka qenë edhe kërkesa e LDK-së, dhe i njëjti të kalojë automatikisht në postin e ministrit të Punëve të Jashtme”, tha Haxhiu në emisionin Interaktiv.

Ajo sqaroi mënyrat e largimit nga posti i kryetarit të Kuvendit.

“E para me dorëheqje dhe e dyta me shkarkim. Dhe versioni i tretë kur ai bëhet anëtar i qeverisë. Kryetari i Kuvendit është deputet, sikurse të gjithë deputetët tjerë. Në momentin kur Kuvendi i voton si ministra, automatikisht u pushon mandati i deputetit”, theksoi Haxhiu, duke shtuar se janë kujdesur që sot “të mos bëjmë asnjë shkelje ligjore”.

Sipas saj, vendimi për të thirrur seancë në orët e vona për të zgjedhur kryeparlamentaren, ka ardhur nga frika e zvarritjes nga presidenti Hashim Thaçi i emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, gjë që, sipas saj, Kuvendi rrezikonte të mbetej pa kryetar.

“Në momentin kur është zgjedhur qeveria, është vendosur që Kuvendi të mos mbetet pa kryetar. Deputetët që janë zgjedhur deputetë, nuk kanë të drejtë vote. Rreziku ka qenë që nëse presidenti Thaçi zvarrit emërimin e anëtarëve të KQZ-së, atëherë Kuvendi rrezikonte të mbetej pa kryetar. Prandaj Kryesia, zonja Nagavci, e ka thirrur mbledhjen e kryesisë, dhe u pajtuan që ta thirrin sot seancën e Kuvendit. Sipas informatave që i kam, ftesë kanë marrë të gjithë deputetët, edhe të opozitës. Ka qenë seancë e jashtëzakonshme, sepse zonja Nagavci e ka thirrur seancën sipas kërkesës së deputetëve. Megjithatë, sot kemi zgjedhur qeverinë dhe kryetaren e re të Kuvendit”, theksoi Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat