Merret një vendim brenda Policisë së Kosovës për t’u mbrojtur nga coronavirusi

Aktuale

Merret një vendim brenda Policisë së Kosovës për t’u mbrojtur nga coronavirusi

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 20:43
Foto ilustrim

Të gjithë policët e Kosovës, që punojnë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që nga dita e hënë, do të dalin në punë duke e vendosur maskën mbrojtëse nga coronavirusi.

Burime brenda Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur se tashmë është marrë vendim që policët që shërbejnë në Aeroportin e Prishtinës, do ta ketë obligim që ta përdorin maskën mbrojtëse nga virusi që po ua merr jetën mijëra personave nëpër botë.

Ende nuk dihet nëse një vendim i tillë do të merret edhe për policët që punojnë në pikat kufitare dhe ata që e ruajnë kufirin përskaj shteteve fqinje.

Në ndërkohë, ka rezultuar negativ testi i analizave laboratorike rreth dyshimeve se tre persona janë prekur nga virusi kinez koronavirusi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka bërë të ditur se tre të dyshuarit nuk mbajnë shenja të virusit vdekjeprurës.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, më 25 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, njofton IKShPK’ja.

Në anën tjetër, institucionet vendore, duke përfshirë edhe opozitën, kanë kërkuar që të merren masat mbrojtëse në rast të shfaqjes së kësaj epidemie në vendin tonë.

Njohës të fushës së shëndetësisë, kanë paralajmëruar rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga ky virus, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme nga ana e institucionecve vendore, veçmas atyre shëndetësore.

Tetë të dyshuarit për prekjen nga coronavirus, të cilët ishin të shtrirë në spitalet në Shqipëri, kanë rezultuar se nuk kanë shenja pozitive nga kjo epidemi.

Por, ndryshe është situata në shtetin fqinj shqiptar, Italinë. Aty deri më tani coronavirusi ua ka marrë jetën 11 persona, teksa janë prekur mbi 350 njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat