Vjosa Osmani jep vulën finale, tregon nëse do qëndroj në LDK apo do largohet - Bota Sot
Vjosa Osmani jep vulën finale, tregon nëse do qëndroj në LDK apo do largohet

Aktuale

Vjosa Osmani jep vulën finale, tregon nëse do qëndroj në LDK apo do largohet

Më: 25 mars 2020 Në ora: 22:33
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, është shprehur kundër mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Veprimet e pamatura politike që sot ndikojnë në vendime të dëmshme për vendin, Osmani tha se asnjëherë nuk i arsyeton dhe përkrah.

Osmani: Situatën po e bëjmë më të trishtuar

“Ngase partia ime e përkrahur edhe nga opozita e sotme sot ka sjellë për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë suaj, të nderuar qytetarë. Qeverisë me besimin më të madh në 15 vitet e fundit. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku shumë politikanë me gjasë nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan dhe Evropa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë, dhe kjo është e pashembullt. Ky ësh të fjalimi të cilin nuk do të doja ta mbaja ngase në çastin në të cilin unë po flas Kosova dhe mbar njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të rrezikshme të njerëzimit, atë të virusit COVID -19, dhe në këtë çast të trishtuar për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtuar me mos durimin politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë për pushtet”, tha Osmani.

Ajo ka pasur edhe një mesazh për ‘ata që deklarojnë se është kundër qëndrimeve të LDK-së’.

Osmani: Kur më thonë se nuk shpreh qëndrim të LDK-së, më kujtohet qëndrimi i Mustafës

“Kur i dëgjoj disa kur thonë që unë nuk shpreh qëndrim të LDK-së, mua thjesht jo vetëm që më kujtohen fytyrat e secilit në ato tubime, por më kujtohet po ashtu që unë çdo pikë edhe të qëndrimit të kryetarit të LDK-së e kam respektuar. Po e citoj çfarë na thotë vetë kryetari Isa Mustafa lidhur me partitë e tjera, “Jo, jo, ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin, dhe nuk mund të luftojnë asnjërën, as tjetrin. Ata veç mund të riorganizojnë për nevoja të veta. Ata që lidhin kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom, ata të aferës së pasaportave , ata të vjedhjes së dëshmimeve, ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiakë, ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës, ata që e katandisën paranë publike, ata duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, brenda dhe jashtë por jo të qeverisin me Kosovën. E kishte fjalën për partitë e PAN-it, në qoftë se dikush ka dyshim”, tha ajo.

Duke votuar mocionin, Osmani tha se sonte braktiset vullneti i qytetarëve, për çka tha se zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ajo edhe një herë ka deklaruar se nuk do të përkrah këtë mocion për rrëzimin e qeverisë Kurti. Dy fjalë pati edhe p ër ata që kërkuan largimin e saj nga LDK.

Osmani: Mendjeshkurtrit më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në

“Në politikë sikurse edhe në jetë duhet ta paguash çmimin e parimit. Unë këtë e kam provuar në lëkurën time më shumë se një herë. Por, parimësia tregon rrugën e drejtë, edhe atëherë kur ajo është e mbushur plot me gjemba. E unë nuk përtoj t’u rrekem atyre, për ta bërë të dukshme dritën edhe nëse sikur kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër, që më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja. Ma tregojnë mua derën, por është një derë dhe një rrugë që e kam ndjekur unë që 20 vjet, është ajo rrugë që ta shtron qytetari”, tha Osmani. 

***

Kryeparlamentarja dhe kandidatja e fundit e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani ka bërë të qartë paknaqësitë me partinë e saj.

Ajo tha se po i qëndron mbrapa vetëm parimit të saj, edhe pse po merr etiketime si tradhëtare e LDK-së.

Osmani shtoi se do qëndroi mbi parimet e partisë për sa kohë që partia e saj do bëj më të mirën për qytetarin, por do vihet në pikëpytje nëse vazhdohet me këtë qasje.

Fjala e plotë e kryeparlamentarë në Kuvend:

“Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe nepotizmin. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të pakohë, sepse konsideroj se, duke e votuar moocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim. As shqetësimi mbi mbajtjen e tarifës nuk ekziston më, ngase qeveria ka marrë vendim për largimin e saj. Sot ju ndjeheni të lodhur dhe të fyer. Kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas,, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, unë sot nga kjo foltore, por nesër nga një dritare e vogël në LDK, nga një dritare virtuale në rrjetet sociale e nga dritarja e banesës sime të vogël do ta kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por nëse dikush ka të drejtë morale dhe legjitime që të flasë në emrin e elektoriatit të LDK-së, jam unë Vjosa Osmani. Në zgjedhjen e fundit të 6 tetorit, unë isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di kontratën që e kemi bërë si parti me elektoratin e LDK-së dhe ajo ka qenë: jo koalicion me PAN-in. Si politikane që ka konsistencë në qëndrimet e saj, unë jam kundër cdo marrëveshje me këto parti, unë nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim.

Në çdo lagje, fshat e qytet, në palestra e amfiteatro, kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin “BESO”, sepse vetë kam pasur bindje e besim te plotë, se do të angazhohemi për ndryshim të pushtetit dhe se partitë e PAN-it që e kanë shpenzuar edhe rezervën shtetërore, duke na sjell në pikë kritike e duke na rrezikuar mundësinë e menaxhimit të duhur të emergjencës shëndetësore, do t’i dërgojmë përfundimisht në opozitë. Unë Vjosa Osmani nuk kam kaluar asnjëherë në parti tjetër, unë kam qëndruar fuqishëm në parimet dhe platformën, të cilën e kam shpalosur para qytetarëve, në parimet strategjike të LDK-së: jo qeveri të PAN-it, jo qeverisje me PDK-në. Por, në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash cmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba.

E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse, sikur ka ndodhur mbrëmë me një mendjeshkurtër të partisë sime, i cili më akuzoi se qenkam duke e “tradhtuar” LDK-në dhe kërkoi largimin tim nga LDK-ja. Nëse mbrojtja e çdo pike të programit të LDK-së më bëka tradhtare, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj cdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë, secilës fjalë ama, që unë ua kam dhënë votuesve të mi, derisa disa prej bashkëpartiakëve të mi frikësoheshin t’u dilnin përpara, atëherë me krenarinë më të madhe do ta mbaj këtë “vulë të tradhtisë”. Por, unë nuk dua të merrem me erën që është duke u shuar. Unë do të veproj, ashtu sikur thoshte Doris Pak për dr. Rugovën, ndryshe. Ai vepronte ndryshe, vepronte në të mirën e përgjithshme, edhe kur e përqeshnin e bëheshin gati ta sulmonin.

Ashtu do të veproj edhe unë, që nuk jam veçse një ndjekëse këmbëngulëse e politikës së tij.

Si kryetare e Kuvendit kam bërë cdo gjë që vendi të mos vinte në këtë situatë, sidomos jo në kohë pandemie. Tash, kur jemi këëtu, unë do të votoj kundër mocionit, do të votoj për të ardhmen e vendit tim, ngase jam thellësisht e bindur se vendit i duhet solidaritet politik e moral, i duhet qeveri që është e zonja të përballet me pandeminë dhe jo me betejën për egot personale. Na duhet solidaritet njerëzor, institucional e moral me njëri-tjetrin. Na duhet bashkim, sepse vetëm kështu do të mund të dalim ngadhnjimtarë. Prandaj, unë do të votoj kundër çdo mocioni që e lë qoftë edhe një qytetar të vetëm pa ministër shëndetësie; që ia pret këmbët të varfrit e ia mbyt shpresën të lënguarit; që ia nxin jetën të papunit, e atij qytetari që në kohën e pandemisë globale detyrohet ta durojë egon tonë të sëmurë për pushtet. Do të votoj kundër, sepse kështu votoj pro shpresës për një të nesërme më të mirë, edhe nëse të sotmen e tyre ne po e përbuzim padrjtësisht, duke e shtyrë atë buzë greminës.

Unë do të votoj kundër sepse qëndroj fort mbi fjalën e dhënë për ndryshim; qëndroj pranë afro dyqind mijë njerëzve të cilët e votuan partinë time dhe mua si kandidate për kryeministre, qëndroj fort mbi shpresën e njerëzve që s’dorëzohen kurrë dhe që do ta rikthejnë këtë shpresë, të cilën ne padrejtësisht po duam t’ua vrasim. Për mua politika është mision e shërbim, nuk është mashtrim. Duke respektuar besen që ia kam dhënë qytetarit në zgjedhje, unë nuk votoj asnjë mocion që e rikthen PAN-in në qeveri”, tha ajo.

Vjosa Osmani godet fort Isa Mustafën e Agim Veliun: Jeni shkurtpamës, unë do të vazhdoj të jem fuqishëm në LDK

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka theksuar se nuk do të kalojë në asnjë parti tjetër.

“Nuk e kam ndryshuar asnjë parim të vetëm, asnjë të vetëm, pavarësisht cmimin që duhet paguar”, ka theksuar Osmani.

Ajo tha se e ka paguar çmimin e parimësisë, dhe atë disa herë.

Ajo e ka goditur ashpër edhe Agim Veliun.

“Ata janë menjeshkurtër dhe mundohen të më hapin derën dhe të më largon”.

“Unë u akuzova për tradhti. E nëse respektohet secila pikë e programit, a qenka tradhti. E nëse respektohet secili premtim që i është dhënë qytetarit, a qenka tradhti”, tha ajo.

Ajo tha se kjo është erë që po shuhet.

Osmani ka theksuar se do të votojë kundër mocionit. Ajo tha se e voton kundër secilin mocion, që e rrezikon një qeveri që ia ka kthy shpresën këtij vendi.

Vjosa Osmani: Nuk e votoj një mocion të tillë në një kohë të rëndë për qytetarët!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se ajo nuk e voton mocionin e mosbesimit pasi që sipas saj ai u bë në një kohë të rëndë për qytetarët dhe se kjo është e papranueshme.

Ajo tutje tha se e ka të drejtën e plotë të flaës në emër të elektoratit.

“Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan, sot ne rrezikojmë ta humbin edhe atë fije solidariteti, ky është fjalimi që nuk do doja ta mbaja pasi në qast që po flas Kosova është duke u përballë në sfidat më të mëdha të njerëzimit. Në këtë qast kur egoja jonë po ëkrkon të përmbushim apetiet tona poltike mjekët tanë po përpiqen të shpëtojnë secilën jetë të prekur nga pandemia. Ju do ta mbani në mend atë që ndodh sot, marrëveshja për bashkëqeverisjë është kontratë që duhet të respektohet nga të gjithë prandaj veprimet e pamatura poltike në këtë kohë unë nuk i pranoj e arsyetoj, asnjë rënie nuk është e përjetshme dhe asnjë betejë nuk është e pamundur, si kryetare e Kuvendit jam përpjekur ta mbrojë secilin parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime dhe që kemi ndërtuar kontratë me qytetarët e 6 tetorit, kur i dëgjoj disa që thonë që unë nuk shoreh qëndrim të LDK-së mua më kujtohet që qdo pikë të kryetarit të LDK-së e e kam respektuar. Unë besoj se qeveria ndërmjet partisë sime dhe VV-së ka qenë e zonja ta luftojë korrupsionin dhe këtë e ka dëshmuar në këto pak ditë prandaj nuk mund të pajtohem me ocionin në këtë kohë të rëndë për qytetarët, unë do të flas me zërin që ma fuqizuat ju sot nga kjo foltore, do të kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Unë e kam të drejtën e plotë morlae të flas në emër të elektoratit të LDK-së.”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat