Bashkëpunëtori i Rugovës pas rënies së Qeverisë paralajmëron: Pazaret dhe skenarët do të jenë jetëshkurtër

Aktuale

Bashkëpunëtori i Rugovës pas rënies së Qeverisë paralajmëron: Pazaret dhe skenarët do të jenë jetëshkurtër

Nga: A.Zh Më: 26 mars 2020 Në ora: 18:35
Hafiz Gagica dhe Ibrahim Rugova

Themeluesi i LDK-së në diasporë dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova, Hafiz Gagica, ka folur pas rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit.

Ai ka thënë se rrëzimi i qeverisë në kohën e Koronavirusit, në aspektin moral dhe human nuk mund të harrohet, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se ndryshimin pozitiv askush nuk mund ta përmbys përmes konjukturave politike, pasi sipas tij, populli do të votojë sërish për ndryshime.

Gagica ka paralajmëruar se pazaret dhe skenarët tjerë, do të jenë jetëshkurtër.

“Mbase, krejt pazaret dhe skenarët tjera do jenë jetëshkurtër, sepse qytetari i ynë pasi që të kaloi kriza e pandemisë globale, pra në kushte normale, do ta jep përsëri votën e vetë për ndryshime pozitive në zgjedhjet e ardhshme të lira dhe demokratike”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Qytetarët e Republikës së Kosovës, përveç ankthit nga virusi i pa dukshëm Korona i cili me shpejtësi po e rrezikon njerëzimin, po përballën edhe me “virusin” e politikës së mbrapshtë e cila është bërë shumë shqetësuese!

Në kohë emergjencash njerëzore të luash role komike, tregon se do bëhesh shembull qesharak në botën që të rrethon, dhe këtë vlerësim po e japin shkrimet dhe komentet e shtypit botëror, të cilat po e vlerësojnë shumë drejt mënyrën dhe atmosferën e rrëzimit të djeshëm të qeverisë së Kosovës, ç’është më e keqja, në kohë të rrethanave emergjente shëndetësore.

Ndërsa në rrethana normale në aspektin politik, ligjor dhe demokratik do ishte në rregull një akt i tillë, por në aspektin moral dhe human kjo nuk mund të harrohet, por as fakti se ky koalicion qeverisës ishte rezultat i votave për ndryshim me 6 tetorit 2019, i cili koalicion mbrëmë u rrëzua nga deputetet për ta pengue ndryshimin në dobi të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Megjithatë, unë besoj fuqishëm se ndryshimin pozitiv askush nuk mund ta përmbys përmes konjukturave politike, sepse këtë ndryshim po e kërkon qytetari i Republikës së Kosovës, i cili sot është më i vetëdijshëm se kurrë, sidomos nga mbrëmë e ka shumë të qartë, se korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi politik i ka rrënjët e shtrira në të gjitha mekanizmat e shtetit të Kosovës, dhe për ta zhduk këtë të keqe kërkohet punë si dhe përkushtim i shumanshëm. Mbase, krejt pazaret dhe skenarët tjera do jenë jetëshkurtër, sepse qytetari i ynë pasi që të kaloi kriza e pandemisë globale, pra në kushte normale, do ta jep përsëri votën e vetë për ndryshime pozitive në zgjedhjet e ardhshme të lira dhe demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat