Presidenti së pari duhet të konsultohet me VV-në ose shkel Kushtetutën

Aktuale

Presidenti së pari duhet të konsultohet me VV-në ose shkel Kushtetutën

Më: 30 mars 2020 Në ora: 18:16
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të bëj shkelje kushtetuese në rast që nisë konsultimet me partitë parlamentare politike, duke anashkaluar fillimisht partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje.

Kështu thotë njohësi i Kushtetutës, Mazllum Braliu. Sipas tij, hapi i parë i Presidencës është që të konsultohet me Vetëvendosjen, e jo të thërret të gjitha partitë politike, ashtu siç ka deklaruar.

“Në qoftë se shkohet drejtpërsëdrejti me konsultime siç është paralajmëruar duke përjashtuar partinë fituese, në këtë rast Lëvizja  Vetëvendosje. Atëherë unë kam drojë që do të ketë shkelje Kushtetuese…hapi i parë që Zyra e Presidentit do të duhej tani, është që të konsultohet presidenca me partinë fituese dhe të kërkojë nga ajo që të jap përgjigje, a mund të formojë një qeveri apo jo”, thotë ai.

Por krahas kësaj, ai thotë se në rast që Lëvizja Vetëvendosja nuk dërgon emër për mandatar, atëherë radha i kalon presidentit që të konsultojë subjektet tjera politike, kushdo që ofron një shumicë parlamentare.

“Do të duhej t’i lëshohet radha presidentit të konsultoj subjektet tjera politike. Në mënyrë që ato eventualisht nëse kanë gatishmëri për të bërë koalicion, të ofrojnë një shumicë parlamentare”, u shpreh Baraliu.

Për një qeveri pa zgjedhje të reja u shpreh edhe analisti politik Faton Abdullahu.

“Edhe në këto rrethana të bëhet përpjekje për të pasur një qeveri me çdokusht që është unike. Që i ka ministrat në punë që i mbulon të gjitha dikasteret dhe ka strategji të cilën mund të zbatojë duke iu falënderuar unitetin dhe mos pasjes së përçarjes…Kuvendi ka vendosur me 82 vota që mos të kemi këtë qeveri dhe ka bërë këtë në rrethana që i dina çfarë ishin. Nisur nga kjo konsiderojë se të gjithë në një mënyrë janë të pajtimit që të shkohet ka ajo për të krijuar një qeveri të re”, thotë ai.

Kundër konsultimeve me partitë politike të presidentit Thaçi janë shprehur edhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti i bëri thirrje të parit të vendit të mos të interpretojë Kushtetutën, por të zbatojë atë. Sipas tij, zgjedhjet e reja pas kalimit të pandemisë Covid 19, është zgjidhja e vetme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat