Gjykata Kushtetuese konfirmon: Pezullohet menjëherë dekreti i presidentit Thaçi

Aktuale

Gjykata Kushtetuese konfirmon: Pezullohet menjëherë dekreti i presidentit Thaçi

Nga: Bota sot Më: 1 maj 2020 Në ora: 18:26
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, zyrtarisht ka njoftuar se ka pezulluar zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës për çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë së re, përcjell Bota sot.

Presidenti Thaçi dje ka dekretuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër. Por, Kushtetuesja ka vendosur, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Thaçi për të mandatuar Hotin për kryeministër.

Njoftimi i plotë:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 1 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 72/20 dhe KO 61/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Vendim për masë të përkohshme

Lënda: KO 72/20

Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”. Më 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga palët në vijim: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

- Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.

****

Media brenda Gjykatës Kushtetuese kanë theksur se sapo është marrë vendimi pas kërkesës së Vetëvendosjes, që të pezullohet dekreti i presidentit për çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e presidentit, deri në vendimin përfundimtar.

“Vendimi sapo është marrë. Pritet që brenda pak minutash Gjykata të dalë me vendim përfundimtar”, tha ky burim.

Lëvizja Vetëvendosje, gjatë ditës së djeshme, menjëherë pasi presidenti Thaçi e mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeminsitër të ri, e dërgoi në Kushtetuese shefin e shtetit.

Ndërkohē, deri në ora 12:00, deputetët kishin të drejtë të dërgonin komentet plotësuese.

Më herët edhe avokati Koci tha se Gjykata ka vendosur për pezullim të vendimit të presidentit.

Njoftimi i Kocit:

U pezullu!

S’kishte rrugë tjetër. Kosova s’po mundet me nje Qeveri e lere më me dy.

Gjykata Kushtetuese po e nderton narracionin se Kosova eshte shtet normal me politikane adoleshenta.

Mos u ngutni priteni njoftimin me shkrim.

Le te mos kuptohet ky status si presion mbi asnjeren pale.

Urime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat