VV: Të japin llogari ata që kanë treguar neglizhencë në rastin e Agon Musliut

Aktuale

VV: Të japin llogari ata që kanë treguar neglizhencë në rastin e Agon Musliut

Më: 5 maj 2020 Në ora: 16:14
Fitim Uka

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale u mblodh gjatë ditës së sotme për të diskutuar rreth situatës aktuale me pandeminë Covid 19 si dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe konstatimet e Gjykatës Kushtetuese për aplikim të masave në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Duke qenë se mbledhja e këtij komisioni u mbajt pa praninë e mediave, më pas deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka dhe Labinotë Demi Murtezi që përfaqësojnë edhe subjektin e tyre në këtë komision shpalosën qëndrimet e mbajtura në mbledhje.

Uka deklaroi se e ka për obligim që të sqarojë opinionin publik që asnjë nga masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk konsiderohen si antikushtetuese nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Uka: Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë shkelje

“Qoftë masa për ndalim qarkullimit jashtë orarit lejuar 90 minutësh, ndalimi i qarkullimit përveç për nevoja dhe punës esenciale, ndalimi i hyrje-daljeve nga komunat e caktuara, ndalimi i qarkullimi me automjete, ndalimi i grumbullimit i dy apo më shumë personave jashtë banesës apo shtëpisë edhe detyrimi për ta mbuluar gojën gjatë qarkullimit jashtë shtëpisë apo banesës që të gjitha këto masa, këto kufizime, janë kushtetuese dhe janë në përputhje të plotë edhe me të drejtat e njeriut, kështu të paktën konstaton Gjykata Kushtetuese, por e pamë edhe sot që për disa prej anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi akoma ka një referim të gabuar në raport me këtë se çfarë thotë Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Uka.

Sipas tij, e vërteta është që ekzistojnë dy gabime të vetme që i ka konstatuar Gjykata Kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me aspekte teknike dhe gjuhësore, ku Kushtetuesja flet për togfjalëshin "zonë karantine" që nuk ekziston në Ligjin për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve por ka “karantinim” që për të është pak a shumë i njëjtë pasi flitet për ndalim të hyrje-daljeve.

Po ashtu, vërejtja e dytë sipas tij ka të bëjë me pjesën e gjobave ku Gjykata Kushtetuese ka deklaruar që Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet shëndetësore të përcaktuara, por sipas tij, sërish ekziston Neni 53 i Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse që i përcakton në mënyrë specifike secilën prej këtyre masave apo gjobave.

Uka u shpreh se në vend se komisioni të diskutojë për infrastrukturën e munguar ligjore për të luftuar pandeminë e COVID-19, aty mbledhjet devijojnë në debate politike.

Duke u ndalur të vdekja e të riut gjilanas, deputeti i VV-së u shpreh se kjo çështje është politizuar skajmshërimsht, ndërsa kërkesa e tyre tha se ka qenë që rasti te hetohet plotësisht.

Po ashtu, ai konfirmoi se mbështesin çdo hetim parlamentar si dhe kërkojnë që të japin llogari ata që kanë treguar neglizhencë në këtë rast.

Uka: Mbështesim hetim parlamentar për vdekjen e të riut gjilanas

“Natyrisht ajo që e kemi theksuar dhe ritheksuar në këtë mbledhje të komisionit ka qenë një hetim i pavarur, ajo çfarë ne ftojmë është që prokuroria të merret seriozisht me këtë rast, ta trajtojë si prioritet dhe gjithashtu ju kemi kërkuar edhe kolegëve të tjerë të komisionit që në rast se duhet t'i ndjekim të gjitha procedurat e mundshme ligjore që të kërkojmë raportim të detajizuar prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe kësisoj edhe Prokuroria por edhe organet e tjera të nxjerrin para drejtësisë dhe të japin llogari ata që kanë treguar neglizhencë në këtë rast. Ndërkaq, mes tjerash meqë u përmend edhe në media sot, si masë e fundit në rast se kjo mund të jetë e pamjaftueshme ne si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e mbështesim edhe një hetim parlamentar në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Uka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat