Faktori ndërkombëtar i bën thirrje Kosovës për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare

Aktuale

Faktori ndërkombëtar i bën thirrje Kosovës për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare

Më: 20 maj 2020 Në ora: 12:30
Ilustrim

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, krerët e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar, kreu i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, si dhe menaxheri i Bankës Botërore në këtë shtet, kanë thënë të mërkurën se mirëpresin të gjitha diskutimet për marrjen e masave me qëllim të luftimit të koronavirusit në Kosovë, teksa kanë bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare me BE-në, shtetet e saj anëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

“Ne besojmë se në këtë kohë të paqartësive të mëdha, të gjitha palët duhet të lënë anash dallimet dhe të punojnë së bashku në të mirë të njerëzve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Faktori ndërkombëtar duket se u është referuar negociatave të autoriteteve të Kosovës me një varg institucionesh financiare ndërkombëtare, për kredi në vlerë mbi 300 milionë eurove, me qëllim të përballimit të krizës së krijuar nga koronavirusi.

Një prej tyre është me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka miratuar një kredi për Kosovën, në vlerë prej 35 milionë eurosh.

Përveç kësaj, zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është në negociata edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi prej 25 milionë eurosh.

Nga Komisioni Evropian po ashtu është premtuar një kredi prej 100 milionë eurosh.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, me dy të tretat e votave.

Andaj problematike konsiderohet miratimi i tyre, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës, pasi kjo e fundit është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat