​Opozita kërkon nga prokuroria të hetojë tenderët në MSh, VV-ja e akuzon për “spektakël medial”

Aktuale

​Opozita kërkon nga prokuroria të hetojë tenderët në MSh, VV-ja e akuzon për “spektakël medial”

Më: 27 maj 2020 Në ora: 13:44
Fitim Uka

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e opozitës kërkojnë që lënda e tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e pandemisë të shkojë në prokurori për hetim. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston që të kjo lëndë të shqyrtohet nga komisioni hetimor parlamentar.

Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, tha se me iniciativë të PDK-së, në mbledhjen e komisionit për shëndetësi u diskutua mundësia e dërgimit të lëndës së tenderëve gjatë kohës së pandemisë në prokurori.

Ndërsa tha se VV-ja kërkon që të krijohet një grup punues që komplet lënda t’i kalojë Komisionit Hetimor Parlamentar, por që është refuzuara nga opozita.

Opozita kërkon që lënda e tenderëve në kohën e pandemisë të shkojë në prokurori

“Ministria e Shëndetësisë, qysh me hapjen e tenderimit ka kërkuar nga autoritetet e konkurrencës dhe Policia e Kosovës që të mbikëqyrin procesin e tenderimit, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme sipas deputetëve të opozitës dhe sot ne me iniciativë të PDK-së është diskutuar edhe mundësia që lënda e tenderëve në kohën e pandemisë të shkojë në prokurori. Natyrisht ne si grupi i VV-së fillimisht kemi kërkuar që t’i shterim të gjitha mundësitë që i kemi brenda komisionit parlamentar dhe ta shfrytëzojmë mandatin tonë. Pra ne kemi kërkuar që të krijojmë një grup punues, kemi ofruar edhe alternativën që komplet lënda t’i kalojë komisionit hetimor parlamentar, por një gjë e tillë është refuzuar”, tha ai.

Madje Uka këtë iniciativë të opozitës po e konsideron si orvatje për të krijuar “spektakël medial”.

Por kjo tendencë, Uka tha se është e pasuksesshme pasi që vet ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar prokurorinë të hetojë tenderët e dhënë në kohën e pandemisë.

Pavarësisht se janë shprehur kundër edhe anëtarët e VV-së sipas Ukës votuan për dërgimin e lëndës në prokurori.

Uka: Tendenca e një pjese të opozitës është të krijojë spektakël medial

“Shihet qartë që tendenca e një pjese të opozitës është të krijojë spektakël medial, por fatmirësisht një lloj i spektaklit medial nuk kalon, për faktin e thjeshtë se vet ministri i Shëndetësisë i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të hetojë tenderët e tillë dhe për të demantuar edhe insinuatat edhe pandemat e ndryshme që kinse Lëvizja Vetëvendosje nuk është për një hetim të pavarur. Ne sot i dhamë votat tona në favor të kësaj iniciative pra që të shkojë lënda në prokurori dhe të kemi një hetim të pavarur”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat