Regjisorja me shtetësi kanadeze e tmerruar me sjelljen e truprojave të Thaçit, protestoi tek vendi ku u arrestua Veroni

Aktuale

Regjisorja me shtetësi kanadeze e tmerruar me sjelljen e truprojave të Thaçit, protestoi tek vendi ku u arrestua Veroni

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 17:55
Flutura Zymi

Flutura Zymi, regjisorja nga Kosova me shtetësi kanadeze, ka protestuar sot në Prishtinë tek vendi ku ishte arrestuar para dy ditësh aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Veron Hasani, nga truprojat e presidentit, Hashim Thaçi.

Në një prononcim ajo ka thënë se sjellja e truprojave të presidentit ishin skandaloze dhe jo të arsyeshme.

“Ky rast kur rojet e presidentit e atakojnë dhe e sulmojnë një qytetar, çfarëdo qoftë, për një mendim të lirë, me dhunë, unë me të vërtetë jam ndier shumë keq dhe jam tmerruar. E kam pa videon e publikuar nga Indeksonline dhe jam tmerruar. Më ka kujtuar kohën kur kam qenë studente dhe policia serbe më ka arrestuar. Kjo më ka shty me dal dhe mos me qenë e heshtur sepse askush nuk guxon me cenu të drejtën e fjalës”, ka thënë ajo.

Sipas Zymit, ekziston ligji nëse Veron Hasani ka bërë ndonjë kundërvajtje, por me godit për një fjalë goje, kjo nuk duhet të heshtet.

Më tej, regjisorja tregon se autoritetet e sigurisë e morën në pyetje pasi vendosi disa pankarta në murin e objektit ku gjendet Kuvendi dhe Presidenca.

“Policët e Kuvendit mu afruan dhe më pyetën “çfarë po bëj”, unë ju thash që jam duke protestuar për mendimin e lirë sepse dua zgjedhje sepse kjo qeveri nuk është ajo që e ka votuar Kosova me 6 tetor.

Pastaj, erdh patrolla tjetër e policisë dhe më pyetën pse e kam bë, unë jau dhashë shpjegimet e mia. Por, pyetja që më pengoi nga policia ishte se “Me cilën parti je”. Ndoshta kanë dashtë mos jam anëtarë e ndonjë partie. Pastaj e dhanë raportin tek komandanti, e pastaj mi kanë marrë të dhënat, letërnjoftimin, ku punoj, çfarë bëjë”, ka deklaruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat