Veseli paralajmëron nismë ligjore për krimet e komunizmit në Kosovë

Aktuale

Veseli paralajmëron nismë ligjore për krimet e komunizmit në Kosovë

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 20:21
Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, pas vizitës në ish-burgun e OZN-së në Prizren, ka paralajmëruar inicimin e nismës ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.

Ai tha se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka përmbyllur këtë proces.

“Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj. E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndryshe, ish-burgu i OZN-së ka funksionuar gjatë viteve 1945 -1965 në Prizren.

Postimi i plotë:

Sot në Prizren vizitova ndërtesën e ish burgut të OZN-ës e cila ka funksionuar gjatë viteve 1945 -1965 në këtë qytet, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë e patriot, sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë.

Në ambientet e brendshme të kësaj ndërtese ende ekzistojnë gjurmët e dhembjes të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u arrestuan, torturuan dhe u vranë si të dënuar politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.

Bazuar në të gjitha këto dëshmi të dokumentuar nga punonjës të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është hartuar projekt propozimi i “Muzeut të Dhunës” i cili tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit.

Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj.

Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë. Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces. E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav.

PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat