​Përurohet memoriali i komandant Drinit - Bota Sot
​Përurohet memoriali i komandant Drinit

Aktuale

​Përurohet memoriali i komandant Drinit

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 21:21
Foto ilustrim

Sot me rastin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Me këtë rast kryetari Haskuka deklaroi se kjo ditë ka ardhur si rezultat i sakrificave qindra vjeçare, e cila u kulmua me luftën e lavdishme të UÇK-së.

“Më 12 qershor të vitit 1999, pas një operacioni të suksesshëm me shumë pak pasoja arritëm deri në çlirimin e Prizrenit. Jam përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës, të cilët iu bënë ballë planeve të egra të forcave okupatore serbe. Shteti jonë bazohet në sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të tyre me vlera më të larta njerëzore, e cila nuk ka asnjë njollë në gjithë historinë e tyre!”, tha Haskuka.

Më pas në lagjen Bazhdarhane, përballë Shtëpisë së Bardhë u bë vënia e gurthemelit të memorialit të Ekrem Rexhës - Komandant Drini, ku morën pjesë edhe anëtarët e familjes së tij, bashkëluftëtarët, veteranët e martirët e luftës, si dhe zyrtarët komunalë.

Duke theksuar se komandant Drini është meritori më i madh i çlirimit të Prizrenit, Haskuka tha se “Edhe pse një veprim i vonuar, sot pas 21 vitesh në praninë e anëtarëve të familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, filluam punimet për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit në qendër të qytetit të Prizrenit, ku të gjithë do ta përkujtojmë jetën dhe veprën madhështore të tij”.

Duke kërkuar zbardhjen e sa më të shpejtë të veprës makabre të vrasjes së komandant Drinit, Haskuka njoftoi se shumë shpejtë do të bëhet edhe përurimi i këtij memoriali.

Pas përurimit në bashkëpunim me veteranët e luftës së UÇK-së, u mbajt edhe një koktej rasti në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat