Avokati i Popullit, qytetarëve: T’i respektojmë masat kundër COVID-19

Aktuale

Avokati i Popullit, qytetarëve: T’i respektojmë masat kundër COVID-19

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 10:08
Hilmi Jashari

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë në mënyrë rigoroze masat për parandalimin dhe luftimin e coronavirusit, si mbajtjen e maskës, distancës sociale dhe higjienës personale.

Jashari me qëllim të njoftimit për së afërmi lidhur me gjendjen e fundit në vend të shkaktuar nga pandemia dhe zbatimin e masave ka takuar drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

“Shqetësimi i madh është shprehur për numrin e madh të qytetarëve të infektuar me virusin COVID-19 ditëve të fundit dhe frika për dalje e situatës nga kontrolli… Të gjendur në këtë situatë emergjente, bazuar në ngritjen rapide të të infektuarve nga virusi COVID-19 ditëve të fundit, implikimeve në shëndetin publik dhe pa dyshim ndikimin në të drejtën për jetë, ju drejtohem me apel që, si asnjëherë më parë, me vetë disiplinë, t’i respektojmë në mënyrë rigoroze masat e rekomanduara nga qeveria dhe nga IKShPK-ja, në mënyrë që t’i jepet prioritet respektimit të së drejtës për jetë”.

Në njoftim më tej thuhet se edhe pse Kushtetuta e vendit garanton që “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”, ndikimi i pandemisë në shëndetin e përgjithshëm publik dhe serioziteti i situatës kërkon masa që nuk do të ishin të arsyeshme nën llupën e të drejtave të njeriut në rrethana normale.

“Në situatën në të cilën gjendemi, të drejtat e njeriut mund të jenë udhërrëfyese për vendime të ekuilibruara në mes mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe të shëndetit dhe, në anën tjetër, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes dhe të interesave publike. Tashmë është bërë publik edhe ‘Manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19’, i nxjerrë nga IKShPK-ja dhe përmban udhëzime të qarta për qytetarët se si duhet të vazhdojnë të mbrohen nga virusi. T’i përmbahemi masave dhe duke i respektuar të drejtat tona, i respektojmë të drejtat e të tjerëve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat