Ish-ministrja Rozeta Hajdari ka disa fjalë për Qeverinë Hoti, thotë se pavarësia dhe sovraniteti sot janë në pikëpyetje

Aktuale

Ish-ministrja Rozeta Hajdari ka disa fjalë për Qeverinë Hoti, thotë se pavarësia dhe sovraniteti sot janë në pikëpyetje

Nga: N. H Më: 23 qershor 2020 Në ora: 17:09
Rozeta Hajdari dhe Albin Kurti

Ish-ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ku po diskuton tani për reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, asaj i vije keq se kjo Qeveri aktuale nuk ka shqyrtuar asnjë dokument bazë për të kuptuar konceptin “reciprocitet”, para se të shfuqizojë vendimet e Qeverisë Kurti, për reciprocitetin me Serbinë.

Ajo shpjegon se reciprociteti nënkupton të drejtën për barazi dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet palëve.

Kurse, thekson se pavarësia dhe sovraniteti sot janë në pikëpyetje nën udhëheqjen të papërgjegjshme, të Avdullah Hotit.

Ja shkrimi i saj:

Kuvendi i Republikës së Kosovës diskuton tani për reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Sa keq më vjen se kjo Qeveri aktuale nuk ka shqyrtuar asnjë dokument bazë për të kuptuar konceptin “reciprocitet”, para se të shfuqizojë vendimet e Qeverisë Kurti, për reciprocitetin me Serbinë. Por si do të shkojë në dialog me Serbinë kjo Qeveri e tanishme? kur pa reciprocitet nuk është e barabartë në dialog me Serbinë.

Masat e reciprocitetit ose veprimit të ndërsjellë janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane, i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Reciprociteti nënkupton të drejtën për barazi dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet palëve. Koncepti i reciprocitetit përfshin idenë se marrëdhëniet bilaterale nuk mund të jenë të njëanshme, por detyrimisht përfshijnë nocionin “quid pro quo” (një për një). Në këtë aspekt, është përgjigjja e duhur për palën që nuk jep të njëjtin trajtim që pret për vete.

Kjo është pikërisht çka Qeveria Kurti ka synuar të arrijë përmes vendimeve të bazuara në evidencë, për zbatimin gradual të masave të reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Këto vendime bënë që për herë të parë dokumentet tregtare nga Serbia ta quajnë vendin tonë me emrin REPUBLIKA E KOSOVËS.

Reciprociteti e mosdiskriminimi përbëjnë thelbin e tregtisë ndërkombëtare, të mishëruara në Marrëveshjen e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT), në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore CEFTA.

Për mbi një dekadë, Serbia ka vendosur një sërë barrierash tregtare ndaj Republikës së Kosovës — barriera jotarifore, barriera teknike dhe barriera politike — në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë dhe marrëveshjen e CEFTA-s. Këto barriera kanë thelluar disbalancin tregtar, kanë dëmtuar prodhuesit dhe ndërmarrësit tanë dhe kanë trajtuar qytetarët tanë në mënyrë të pabarabartë e të padinjitetshme. Qeveria Kurti ka vendosur masat e reciprocitetit për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie dhe për t’i dalë zot Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran.

Pavarësia dhe sovraniteti ynë sot janë në pikëpyetje nën udhëheqjen tuaj të papërgjegjshme, z. Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat