​Familjarët e dëshmorëve të Drenocit e quajnë politike propozim-aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

Aktuale

​Familjarët e dëshmorëve të Drenocit e quajnë politike propozim-aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 16:44
Thaçi e Veseli

21 vjet më parë, nga 28 qershori e deri më 30 qershor 1999, në Drenoc të Klinës ka ndodhur dyluftimi në mes forcave kriminale serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E në këtë 21-vjetor familjarët e dëshmorëve të kësaj ane e kanë përjetuar rëndë lajmin se Zyra e Prokurorisë Speciale ka propozuar aktakuzë ndaj dy krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Ramush Agushi, vëllai i dëshmorit Jakup Agushi nga Drenoci i Klinës thotë se kjo aktakuzë është e fabrikuar dhe bëhet në momentin kur më së shumti vendit i duhen krerët institucionalë.

Ai thotë se po e përjetojnë rëndë faktin se Thaçi dhe Veseli po akuzohen si krerë të UÇK-së, dhe kjo sipas tij po iu dhemb edhe më shumë.

Agushi: E kemi përjetuar shumë rëndë

“E kemi përjetuar shumë rëndë sepse i kemi përjetuar si udhëheqës së luftës çlirimtare të vendit, një ndër prijësit dhe themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare dhe për atë është shumë e rëndë edhe për ne edhe për gjithë Kosovën... Kjo i ka fillimet shumë larg, mendoj që Tribunali i Hagës është i themeluar për luftën e ish- Jugosllavisë. Në atë luftë është dënuar edhe kasapi i Ballkanit, i njohur si Millosheviqi. Por qysh nuk e përmendi Millosheviqi as Hashim Thaçin as Kadri Veselin për katër vjet me radhë gjatë gjykimit, por iu bie ndërmend të fabrikohen dhe akuzohen njerëz që e mbrojtën dhe punuan për këtë vend. Mendoj që kjo gjykatë është kryekëput politike... Kjo është një politikë, e cila vendit tonë kur më se shumti i duhen krerët e institucioneve si kryetar i shtetit i Partisë Demokratike dhe nuk po merret si kryetar i PDK-së e as si president”, tha ai.

I mbijetoi katër plumbave që i mori nga forcat paramilitare serbe në masakrën e Kralanit të Klinës, por për Hysen Krasniqin është dhimbje edhe më e madhe aktakuza e propozuar ndaj Thaçit dhe Veselit.

Krasniqi teksa tregon se si arriti të shpëtojë nga kjo masakër, thotë se përse Gjykata Speciale nuk po e fton atë të dëshmojë për krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë, por i fton komandantët e UÇK-së.

Krasniqi: Është lajm i dhimbshëm

“Është lajm i dhimbshëm jo për këta të dy, por për çdo ushtar të UÇK-së. Këtu është duke manipuluar dikush...UÇK-ja ma ka dhënë ndihmën e parë dhe të fundit. Ndihem si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, si me i marrë ata si mua njëjtë. Rasti im është dashur të më ftojë Haga për të treguar këtë rast, por që po e thirrka dikën tjetër që nuk ka bërë asgjë”, tha Krasniqi.

Propozim-aktakuza për Thaçin dhe Veselin ka qenë shokuese për familjarët e dëshmorit nga Klina, Milazim Balaj.

Hajdin Balaj, si vëlla i dëshmorit, thotë se me këtë akuzë është prekur kupola e UÇK-së, andaj shprehet i gatshëm të jep dëshmi për pafajësinë e Thaçit dhe Veselit kurdo që do t’i kërkohet.

Balaj, i cili është kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, thotë se Gjykata Speciale është e njëanshme dhe politike.

Balaj: Ky ka qenë lajmi më shokues për Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Ky ka qenë lajmi më shokues për Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që janë prekur kupola e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pavarësisht, ne kemi bërë një luftë të drejtë, se nuk kemi shkuar në Serbi për të luftuar, por kemi mbrojtur popullin tonë me luftë të drejtë, me sa mundësi që kemi pasur... Jo vetëm në Hagë, po kudo që kërkohet edhe në hënë unë do të shkoj të dëshmoj dhe me krenarinë më të madhe, sepse krenaria ime më e madhe në jetë është që kam pasur rastin të jem pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare”, deklaroi Balaj.

Lajmi për propozim-aktakuzën nga Zyra e Prokurorisë Speciale për presidentin, Hashim Thaçin e kreun e PDK-së, Kadri Veselin, erdhi pak ditë para se të mbahej takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë. Kreu i shtetit u njoftua derisa po udhëtonte drejt Uashingtonit, derisa më pas ky i fundit e anuloi pjesëmarrjen e tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat