Juristi i Vetëvendosjes: Ky është plani i dëmshëm që po e bën gati kabineti i Hotit

Aktuale

Juristi i Vetëvendosjes: Ky është plani i dëmshëm që po e bën gati kabineti i Hotit

Nga: A.Zh Më: 1 korrik 2020 Në ora: 13:32
Avdullah Hoti

Getoar Mjeku, jurist në Lëvizjen Vetëvendosje, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti, se po bëhet gati për të shpërdorë pasurinë e popullit.

Ai ka thënë se kjo do të bëhet përmes shitjes së aseteve shoqërore, qiradhënieve dhe kontratave të dëmshme, përcjell Bota sot.

“Kapësit e shtetit drejtojnë Agjencinë e Privatizimit. Ata tani po përgatisin një plan me përvetësu copëzën e fundit të pasurisë shoqërore”, ka shkruar Mjeku në një postim në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

Kabineti i zt. Hoti po bëhet gati me shpërdorë pasurinë e popullit — me rinisë shitjen e aseteve shoqërore, me u dhënë me qira të keqe mujsharëve tokë, fabrika, lokale e pompa benzinash dhe me leju kontrata të dëmshme që mund ta detyrojnë shtetin t’u paguajë oligarkëve miliona euro dëmshpërblim.

Qeveria Kurti pat marrë dy vendime me i pezullu veprimet e Agjencisë së Privatizimit me pronat shoqërore. Kabineti Hoti sot paska vu në rend të ditës anulimin e vendimeve tona, ani pse anulimi kish me qenë i paligjshëm.

Anulim nuk domethënë shfuqizim. Kur anulohet një akt, i bie se akti nuk ka qenë në fuqi asnjëherë. Dhe pasojat janë të thella e të paparashikueshme. I marrim vesh tek mbasandej.

Ligji e thotë qartë se një vendim mund të anulohet vetëm nëse është i paligjshëm. Po sipas ligjit, një vendim dobiprurës nuk mund të anulohet as kur është i paligjshëm. Vendimet e qeverisë Kurti kanë qenë në përputhje me kushtetutën, me ligjin për AKP-në dhe me interesin publik. Kabineti Hoti, si fryt i shkeljes së ligjit dhe shtypjes së vullnetit të popullit, po punon kundër ligjit për të zhvatë pasurinë e popullit.

Veçanërisht e paligjshme është përpjekja me leju planin e AKP-së për qiratë e këqija. Në fillim të këtij viti, AKP pat nisë procedurën me lëshu me qira 66 njësi që ajo i qun «asete me karakter specifik». Këto njësi përfshijnë mbi 60 mijë metra katrorë objekt, dhjetëra hektarë tokë, fabrika, lokal e pika karburanti. (Sa me kuptu për se bëhet fjalë, në listë është edhe lokali me 970 metra në bulevardin Bill Clinton si dhe kinoja ABC Genci me 6.000 kuadratë.)

Arsyeja për këto qira nuk është thënë kurrkund. Por këto duhen për të mbajtë gjallë pushtetarët dhe partnerët e tyre.

Pasuritë tona do jepen me qira për 5 vjet, me mundësi vazhdimi. Dhe nëse shteti shkëput kontratën para kohe, do të detyrohet me i pagu investimet që ka kry qiramarrësi. Plani nuk kufizon vlerën e investimeve, siç nuk kufizohet as lartësia e dëmshpërblimit që mund të kërkohet, kurse përvoja jonë na kujton një model skajshmërisht trishtues: investimet në pronat shoqërore fryhen, paratë shpëlahen, kurse shteti dhe populli varfërohen.

Kapësit e shtetit drejtojnë Agjencinë e Privatizimit. Ata tani po përgatisin një plan me përvetësu copëzën e fundit të pasurisë shoqërore.

Këtë radhë do ta përdorin qiranë në vend të blerjes nën çmim, sepse qiraja po u kushton ma lirë se blerja. Kështu madje mund t’ia ulin çmimin vetes kur të vijë radha me u shitë asetet.

Mirëpo ky lloj qiraje bie me frymën e vetë ligjit për AKP-në. Ndonëse lejon qiradhënien, ligji thotë se synimi i AKP-së është të rrisë dhe të privatizojë ose të likuidojë pronën shoqërore. Kurse termi «aset me karakter specifik» nuk shfaqet në ligj.

Për ma tepër, plani i qirasë 5-vjeçare është i paprecedent: në të kaluarën, AKP ka miratu qira prej 6 muajsh, me disa raste përjashtuese ku — pa arsyetim bindës, por me porosi nga lart — është aprovu qiraja 2-vjeçare.

Dhe në fund, plani i qirasë do ta mbajë hapur AKP-në pafundësisht. Një vlerësim i bërë rreth vitit 2018 ka parapa që AKP-ja të kryejë punën e vet brenda 5 (maksimum 7) vjetësh dhe të mbyllet njëherë e mirë. Me këto qiradhënie, misioni i AKP-së do të vazhdojë, për aq sa të ketë mundësi me zhvatë asete, me punësu militantë dhe me robëru popullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat