Masat e Qeverisë Hoti, reagon analisti i njohur: Ja si do të jetë beteja me COVID-19

Aktuale

Masat e Qeverisë Hoti, reagon analisti i njohur: Ja si do të jetë beteja me COVID-19

Nga: N. H Më: 5 korrik 2020 Në ora: 18:17
Avdullah Hoti

Lidhur me situatën e fundit në vend, ka reaguar edhe analisti Shkodran Ramadani.

Ramadani ka bërë një status të gjatë në profilin e tij në Facebook duke folur pas masave të sotme të vendosura nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar pandeminë Covid-19.

Ai ka thënë që duhet të dalim përtej dy ekstremeve të përkundërta, njëra prej të cilave kërkon masa të ashpra dhe dëmtim të ekonomisë, ndërsa tjetra “anarki totale”.

Ja shkrimi i tij:

Fatkeqësisht në Kosovë duket se ekzistojnë vetëm dy ekstreme:

1) Masa të ashpra dhe anti-kushtetuese që ruajnë shëndetin qytetar, por e bankrotojnë ekonominë për shkak të ndalimit të qarkullimit të njerëzve dhe të punës.

2) Anarki gati totale, ku Qeveria spektatore rri duarkryq kundrejt bizneseve qe mundohen të kompensojnë fitimin e humbur gjatë kohës së izolimit. Kështu psh nëpër lokale vendosin edhe më shumë tavolina e karrige sesa para pandemisë.

Asnjëra prej tyre nuk ka përgjigjen për realitetin me të cilin do të ballafaqohemi gjatë. Njëherë epidemi. Pastaj pandemi. Për më tepër, sipas shumë parashikimeve, ky virus do të shndërrohet në endemi.

Dmth ka shumë gjasë që Covid-19 do të jetojë gjatë në mesin tonë dhe deri në zbulimin e vaksinës, mprehtësia e tij mbytëse do të merr shumë jetë njerëzish.

Prandaj secili nga ne duhet ta ngulitë në kokën e vet se lufta me Covid-19 është maratonike dhe këto dy masa ekstreme nuk na japin kondicionin e nevojshëm për këtë rrugë të gjatë e të mundimshme.

Kosovës i duhen politika e masa të cilat rregullojnë shpërndarjen e virusit në atë mënyrë që të ruhet balanci mes shëndetit qytetar, kapaciteteve shëndetësore dhe mirëqenies ekonomike.

Si fillim, institucionet duhet të jenë shumë të ashpra me të gjitha bizneset dhe personat të cilët nuk krijojnë hapësirën e nevojshme për t'u ruajtur distanca.

QKUK-së duhet t'i hiqet një pjesë e barrës dhe përmes trajtimit dhe vendosjes së pacientëve edhe në qendrat tjera spitalore, të shpërndahet përgjegjësia nëpër Kosovë. Në të njëjtën kohë, kapacitetet shëndetësore duhet të rriten përmes investimeve.

Keqardhje per Labin & Co., por dasmat e ahengjet nuk duhet të lejohen. As me 50 veta. Kafiteritë duhet të monitorohen gjithë kohën në mënyrë që të mos shndërrohen në zona ku virusi fiton fuqinë përhapëse.

Poashtu nevojiten më shumë përpjekje për të alarmuar publikun edhe më tej se nuk bëhet fjalë as për konspiracion, as për "virus të thjeshtë sezonal" me simptoma të lehta. Të gjithë ata që publikisht mohojnë ekzistencën e këtij virusi, duhet të përballen me ligjin.

Nuk ka rrugë tjetër!

Duhet ta kuptojmë të gjithë që ky virus është vrasës i vërtetë dhe nëse nuk kemi qëndrueshmërinë e domosdoshme për t'u përballur kolektivisht e individualisht gjatë me të, mund ta humbim shumë rëndë luftën dhe me shumë pasoja të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat