Ish-mjeku i UÇK-së që u përball me Millosheviçin ka një paralajmërim të ‘frikshëm’ për Thaçin: Do ta përjetojë braktisjen dhe izolimin

Aktuale

Ish-mjeku i UÇK-së që u përball me Millosheviçin ka një paralajmërim të ‘frikshëm’ për Thaçin: Do ta përjetojë braktisjen dhe izolimin

Nga: N. H Më: 5 korrik 2020 Në ora: 18:35
Hashim Thaçi

Liri Loshi, ish mjek i UÇK-së gjatë luftës, dhe njeriu që ishte si dëshmitarë në Hagë, për masakrën në Izbicë, kundër kriminelit Millosheviç, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar edhe njëherë aktakuzën e Speciales ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Loshi fillimisht ka paralajmëruar se do të vijnë ditë të vështira për presidentin.

Sipas ish-mjekut, Thaçi do ta përjetojë braktisjen dhe izolimin jo vetëm nga politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë, por edhe nga ata vendorë.

Tutje, ai po ashtu shkruan se me mos dhënien e dorëheqjes nga posti i presidentit, Thaçi më shumë i ngjan fajtorit duke qëndruar në zyrën e presidentit.

“Dorëheqja nuk mund të kuptohet si pranim i fajit! Më shumë i ngjan fajtorit duke qëndruar në zyrën e presidentit. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit është ankth për të, për familjen dhe adhuruesit e tij. Por aktakuza për presidentin është ankth për të gjithë ne, për popullin dhe për shtetin. Shpresoj se edhe Hashim Thaçi e ka kuptuar se ai është në krye të shtetit për shtetin dhe jo për vete. Ende ka kohë me e përfundu mandatin me dinjitet”, shkruan Loshi.

Ja shkrimi i tij:

Image
Liri Loshi

Ditët që vijnë do të jenë të vështira për presidentin Thaçi në zyrën e tij. Ai do ta përjetojë braktisjen dhe izolimin jo vetëm nga politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë, por edhe nga ata vendorë. Do ta përjetojë braktisjen edhe nga bashkëounëtorët e tij me servilë.

Gjendja e tij ma përkujton rrëfimin e një mjeku që kishte kancerin dhe i kishte ditët e numëruara në jetë. Të gjithë kolegët ndërronin rrugën që mos ta takonin! Presidenti ynë është mirë me shëndetin, por ditët në zyrë i ka të numëruara. Aktivitetin e presidentit të paralizuar.

Çdo ditë Hashim Thaçi do ta pyes veten: “Pse nuk dhashë dorëheqje menjëherë sapo kisha marrë lajmin për propozim-aktakuzën?” Sot do ta pyes veten pse nuk dha dorëhqje dje dhe nesër do ta pyes veten pse nuk dha dorëheqje sot.

Dorëheqja nuk mund të kuptohet si pranim i fajit! Më shumë i ngjan fajtorit duke qëndruar në zyrën e presidentit. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit është ankth për të, për familjen dhe adhuruesit e tij. Por aktakuza për presidentin është ankth për të gjithë ne, për popullin dhe për shtetin. Shpresoj se edhe Hashim Thaçi e ka kuptuar se ai është në krye të shtetit për shtetin dhe jo për vete. Ende ka kohë me e përfundu mandatin me dinjitet.

PS. Nuk jam duke shkruar si kundërshtar i tij, pradnaj përmbajeni mllefin! Mos u çartni! Unë e dua dhe e çmoj lart UÇK-në. Ka qenë një vit e diçka luftë, por për mua vlen më shumë se krejt jeta ime para dhe pas lufte. Unë dua dhe lutem që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe çdo ushtar tjetër të jetë i pafajshëm. Unë edhe i besoj deklatatës së të dyve se ndihen të pafajshëm. Por, unë kam një vëlla dhe gjashtë motra dhe kam një vajzë e dy djem. Dhashtë zoti që të mos involvohen në krime asnjëherë, sepse drejtësisë nuk do t’i dilja para për asnjërin!

Deri në vendim të gjykatës për mua Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë të pafajshëm. Sidoqoftë, koha nuk është për kalkulime, por për gejtjen e avokatëve të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat