Kryeministri Avdullah Hoti ka folur për situatën aktuale me Covid-19 në vend. Thotë se po bëjnë gjithçka që kanë në dorë në mënyrë që të menaxhojnë situatën në mënyrën më të mirë.
Thotë se kanë tentuar që të zbatojnë protokollet e rekomanduara nga OBSH dhe institucionet e tjera shëndetësore në vend. Por ai përmendi edhe qeverinë paraprake, pasi sipas tij, pas karantinës, hapja ndodhi shpejt.
“Hapja ndodhi 2 javë më përpara se sa është dashur. Kështu e gjetëm dhe u munduam që t’i zbatojmë protokollet e zbatuara nga OBSH”, tha Hoti, derisa sipas tij, edhe qytetarët nuk respektuan rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ndërkohë ka shpjeguar se u detyruan të marrin veprime më ‘ekstreme’ pasi numri i të infektuarve u rrit.
“Me rritjen e numrit na u dashtë që të merrnim veprime më ekstreme që i kanë marrë edhe vendet e tjera. 1 valë e dytë e Covidit po duket në horizont dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që të menaxhojmë këtë situatë. E kemi riorganizuar QKUK’në e spitalet regjionale..”, shpjegoi ai.
Ndërkohë Hoti ka treguar se pse u bë mbyllja e pjesshme e gastronomisë. Sipas tij, nga historia e treguar prej të infektuarve, ka dalë që shumica e të prekurve me Covid-19, kishin burimin në ndejat e organizuara.
“Burim infektimi është kryesisht gastronomia”, tha ai.
Ndërkohë ai tha se vendimi për mbylljen erdhi bashkë me lirimin nga puna të njërit prind.