Babai s’ka certifikatë për të birin e vdekur në Siri

Aktuale

Babai s’ka certifikatë për të birin e vdekur në Siri

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 21:26
Foto

Vitin e kaluar Kosova kishte hapur kufijtë për mbi 100 shtetas të cilët në rrethana të ndryshme kishin marrë rrugë drejt Sirisë.

Ata do të riatdhesoheshin në vendlindjen e tyre.

Megjithatë procesi i integrimit të tyre akoma po vazhdon. H.S të cilit i kishte vdekur djali në zonat e konfliktit, ka thënë për T7 se akoma nuk po arrin ta nxjerrë një certifikatë të vdekjes të birit të tij.

Madje i dëshpëruar ai thotë se do të merrte rrugë drejt vendit ku djali i tij thuhet se ka vdekur.

“Ai ka ra në Siri por hala nuk po dihet qysh e tek, po më duhet një certifikatë e vdekjes për të, hala se kemi marrë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme na kanë thënë që nuk po dimë hala. Unë me mujt me ditë ku ka ra djali jem isha shku me shtagë deri atje veç varrin me mujt me ia qelë” ka thënë H.S.

Prindi i të ndjerit shprehet i bindur se djalin e tij e kishin mashtruar, pasi që sipas tij ai nuk praktikonte fenë në baza ekstreme.

“Jam shumë i bindur se dikush e ka mashtru. Ai ka qenë djalë i urtë shumë, bile të gjithë janë çuditë kur ju kemi tregu se çka ka ndodhë me të” rrëfen babai.

E mes gjithë dhimbjeve që ai ndjen për të birin e vrarë, ka një mesazh për të gjithë.

Ai fton kosovarët që të qëndrojnë larg zonave të konfliktit.

“Unë s’kom ditë asgjë se e kisha thirr policinë, më mirë me qenë në burg se ku u shku e ka rënë. Sa të mujnë le t’i ndalin mos t’i lajnë me shku. Më i mirë se vendi yt nuk është asnjë” shprehet ai.

H.S lehtësimin e vetëm thotë që e ndjen përmes nipit të tij, i cili thotë se i ngjan tërësisht të birit.

“Zemrën e kom pak ma shnosh prej që e kom nipin, krejt i ka ngja djalit”.

Nipi i tij jeton me nënën në Kosovë, e për H.S tashmë ka rëndësi vetëm mirëqenia e tij.

Në prill të vitit të kaluar ishin riatdhesuar më shumë se 100 shtetas kosovarë të cilët kishin qenë në Siri, në mesin e tyre 74 fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat