Shteti “t’i kushtëzojë” specializantët që të mos ikin nga sektori publik - Bota Sot
Shteti “t’i kushtëzojë” specializantët që të mos ikin nga sektori publik

Aktuale

Shteti “t’i kushtëzojë” specializantët që të mos ikin nga sektori publik

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 14:59
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Rreth 2,000 mjekë kanë aplikuar në konkursin e specializimeve, që më 30 korrik u shpall nga Ministria e Shëndetësisë. Specializimet do të ndahen për rreth 1,500 mjekë.

Kjo është hera e parë, që prej vitit 2016, që autoritetet kanë shpallur konkurs për specializantë të rinj.

Megjithëkëtë, janë vetë profesionistët shëndetësorë ata që kanë ngritur shqetësimin e tyre se jo të gjithë këta specializantë do të punojnë në institucionet publike shëndetësore.

Mjekët po ikin nga sistemi publik shëndetësor

Pas përfundimit të specializimit, mjekët po ikin jashtë Kosovës, por edhe në institucione private shëndetësore për shkak të pagës së lartë dhe kushteve më të mira të punës.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, i tha Radios Evropa e Lirë, se në kontratën që e nënshkruajnë specializantët, janë të obliguar të punojnë pesë vjet për shtetin. Në rast se i ikin kësaj kontrate, ata obligohen t’ia kthejnë shtetit gjitha mjetet financiare, që ata i kanë marrë gjatë shkollimit të tyre.

Por, kjo, sipas tij, asnjëherë nuk ka ndodhur dhe se akëcilit që e ka lëshuar sektorin shëndetësor publik, nuk i është kërkuar që ta arsyetojë ikjen.

“Ministria e Shëndetësisë nuk i mbikëqyrë dhe pse nuk ndodh kjo, mendoj se është defekt i këtij institucioni. Specializantët paguhen sa mjekët derisa janë duke specializuar, por ajo është si subvencion për mjekët. Por, asnjëherë nuk ka ndodhur që mjetet t’i kthejë dikush prej atyre që ka ikur (nga sistemi publik shëndetësor)”, tha Sejdiu.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se obligimet e shkollimit specialistik do të specifikohen ne Ligjin për shëndetësi, i cili është në procedurë.

Ai theksoi se do të merren praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të tregut të lirë, ku do të shikohet mundësia që së paku mjekët specialistë t’i obligojnë që t’i shërbejnë vendit për një kohë, sepse siç tha ai, “nuk mund ta mbash peng një njeri për gjithë jetën”.

“Ne do t’u ofrojmë mjekëve të rinj mundësinë që të specializojnë dhe këta do të jenë të punësuar aktivë, të cilët do të fillojnë një punë të rregullt dhe do të vazhdojnë edhe pas specializimeve. Ndërsa, edhe pjesa tjetër e obligimeve do të kontraktohet sipas Ligjit për shëndetësi, i cili na obligon që t’i ruajmë institucionet vitale të shëndetësisë. Mos të prodhojmë kuadro për të tjerët, por për Republikën e Kosovës. Do të jemi të kujdesshëm dhe shumë shpejt do t’i ndërmarrim edhe këta hapa dhe do të konkretizojmë edhe në aspektin legal dhe juridik”, tha ministri Zemaj.

Mungesë e ansteziologëve

Ndryshe, për një kohë të gjatë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në Kosovë, po përballen me mungesë të anesteziologëve. Krahas mungesës, institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen edhe me largimin e këtij stafi, qoftë në klinikat private apo edhe jashtë Kosovës.

Anesteziologu Nehat Baftiu, njëherësh drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se anesteziologët janë të kërkuar në gjithë botën dhe kjo është arsyeja që këta mjekë po ikin nga Kosova. Ndërkohë, shton se shteti i Kosovës duhet t’i stimulojë ata, qoftë me rritje page apo forma tjera që ata të shërbejnë në vend.

“Neve na ka pyetur Ministria e Shëndetësisë se për sa mjekë anesteziologë kemi nevojë dhe kemi kërkuar të ndahen 50 vende për anesteziologë. Megjithatë, janë ndarë 25 specializime për këtë lëmi këtë vit. Unë edhe me këtë numër jam tepër i kënaqur, nëse këta mbesin për tregun tonë. Për mua është në rregull sepse mbulojnë një zbrazëti të madhe. Por, mendoj as dhjetë prej tyre nuk do të mbesin, pasi që të gjithë po e mësojnë gjuhën, ndërkohë sa po specializojnë dhe po ikin jashtë vendit, por edhe në institucione private shëndetësore”, tha Baftiu.

Baftiu shtoi se nga gjenerata e fundit e specializantëve, nga 20 sosh sa ishin, teksa kanë qenë duke e kryer specializimin, tetë prej tyre kanë ikur. Ai shtoi se paga në institucione private shëndetësore për anesteziologët është dhjetëfish më e madhe se në sektorin publik.

Njëri nga tre anesteziologët që e kanë lëshuar punën më27 korrik të këtij viti ishte Ardian Hoti. Ai për Radion Evropa e Lirë pati deklaruar se ka vendosur ta lëshojë punën në sektorin publik, për shkak se ka marrë ofertë nga një spital privat në Prishtinë, me kushte të punës dhe pagë më të mirë.

“Arsyeja (e largimit) thjesht ka qenë ekonomike. Kam marrë ofertë të mirë, që ka qenë shfrytëzim i momentit dhe kanë pasur nevojë për anesteziologë. Bëhet fjalë për një spital privat”, pati deklaruar Hoti.

Specializimet, me pagesë

Ndryshe, nga muaji maj i vitit 2018, rreth 1,000 specializantë në Kosovë kishin filluar të paguheshin në formë page. Kjo ishte mundësuar përmes një plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik, me të cilin mundësohej që specializantët vullnetarë të futeshin në specializim me pagesë.

Paga e specializantëve është rreth 600 euro në muaj, aq sa paguhet edhe një specialist për punën që kryen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Megjithëkëtë, profesionistët shëndetësorë thonë se edhe kur ndahen specializimet, po bëhet në mënyrë joadekuate, pasi që ndarja e specializimeve nuk bëhet në bazë të kërkesave të institucioneve, por më shumë ngarkohet Qendra Klinike Universitare, derisa spitalet rajonale kanë mungesë të theksuar të mjekëve në fusha të ndryshme.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës ,Blerim Syla, tha se Kosova ka mungesë mjekësh, derisa ka mjekë të papunë, por ka edhe keqmenaxhim në sistematizimin e tyre.

“Qëndrimi i Sindikatës është të ndahen sa më shumë specializime për institucionet publike shëndetësore në bazë të nevojave demografike të spitaleve regjionale. Siç e dini, QKUK-ja është shumë e ngarkuar, derisa spitalet regjionale kanë mbet bosh pa mjekë”, tha Syla.

Ai shtoi se secili specializim që ndahet nga Ministria e Shëndetësisë, duhet të kushtëzohet për mjekët, në mënyrë që ata të kontribuojnë në sektorin publik shëndetësor, pas përfundimit të shkollimit të vazhdueshëm.

“Nëse pesë vjet, shteti i Kosovës e paguan specializimin për një mjek, ata (mjekët) duhet të jenë të detyruar të mbeten në vend. Përndryshe, nëse vazhdon kjo formë, kjo është skandaloze. E gjithë kjo është e rregulluar përmes kontratës që mjekët e nënshkruajnë. Nuk ka nevojë për ligj të veçantë, duhet vetëm Ministria e Shëndetësisë t’i mbikëqyrë dhe t’i kushtëzojë që ata të punojnë së paku pesë vjet në institucionet publike shëndetësore, pas përfundimit të specializimit”, tha Syla.

Sipas Sylës, për të nxjerrë një kuadër të rangut të lartë në mjekësi apo një mjek specialist, shtetit të Kosovës llogaritet se i kushton rreth 200 mijë euro. Ndërkaq një mjek i përgjithshëm, shtetit i kushton rreth 140 mijë euro.

Ndërkohë, në Odën e Mjekëve të Kosovës, gjatë vitit 2019, thuhet se 115 mjekë kanë kërkuar dokumente për punësim jashtë Kosovës.

Në sektorin publik shëndetësor janë rreth 14,000 të punësuar, prej tyre rreth 6,000 mjekë./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat