Pas akuzave kundër Grenellit, Kurti tani thotë se kjo marrëveshje mund të nënshkruhet në Amerikë

Aktuale

Pas akuzave kundër Grenellit, Kurti tani thotë se kjo marrëveshje mund të nënshkruhet në Amerikë

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 21:17
Albin Kurti

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka lëshuar një reagim të dytë kundërshtues ndaj takimit të 2 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Kësaj radhe në Twitter, Kurti ka dhënë tri “arsyet” se pse ai mendon se takimi i 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë është i gabuar.

Sipas tij, e para është se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është eliminuar nga tavolina e dialogut.

“Fillimisht, mungon besueshmëria dhe transparenca. Ideja e ‘shkëmbimit territorial’ është mohuar vazhdimisht, por është dëshmuar se ekziston nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili ka thënë se ideja ka ardhur nga dy presidentët (Thaçi & Vuçiq). Kjo ka dëmtuar besimin në këtë proces”, ka shkruar ai.

Arsyeja e dytë, sipas Kurtit janë çështjet e mbyllura që nuk kanë nevojë të rihapen.

“Së dyti, mungojnë njohuritë rreth çështjes. Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i cili as nuk është në konflikt që të ketë nevojë për marrëveshje për paqe, dhe as nuk ka status të pazgjidhur, që kërkon negociata. Këto janë pohime të pavërteta”, ka shkruar ai.

E sipas tij, nuk po diskutohet për esencën e marrëveshjes por për nënshkrimin final të saj.

“Së treti, koha dhe dedikimi. Një marrëveshje për normalizim me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve, rrjedhimisht një proces të gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor, është e qartë se rëndësia nuk qëndron te përmbajtja e marrëveshjes, por te nënshkrimi në fund të saj”, ka shkruar tutje Kurti.

“Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, por se kjo duhet të ndodhë nëpërmjet një dialogu të përgatitur mirë. Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e pathyeshme, por shtytja drejt marrëveshjeve të këqija për hir të një fushate politike është e gabuar”, ka shkruar ai.

Ky është reagimi i dytë i Kurtit pas atij të djeshmit ku hedhi akuza të ashpra ndaj emisarit special të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell.

Këtë të fundit, Kurti dje e quante “kauboj” që nuk i intereson për vuajtjet e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat