Haradinaj: Minishengeni dhe Ujmani kanë qenë lëshime të Kosovës

Aktuale

Haradinaj: Minishengeni dhe Ujmani kanë qenë lëshime të Kosovës

Më: 14 shtator 2020 Në ora: 21:35
Daut Haradinaj

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Marrëveshja e Uashingtonit ka pasur kompromise të shumta nga ana e delegacionit të Kosovës.

“Minishengeni dhe Ujmani kanë qenë lëshime të Kosovës. Kemi pasur vërejtje pse nuk kenë ngulur këmbë të largohen këto pika pas heqjes së pikës 10 për njohje reciproke. Kanë qenë kompromise nga ana jonë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka bërë thirrje për bashkim të skenës politike për punën e dialogut.

“Përmbajtja është më e rëndësishme se sa ai që e nënshkruan. Jemi në përfundim të procesit të dialogut. Liderët e të gjitha partive duhet të bashkohen që të dalim me një qëndrim të përbashkët”, tha ai.

Haradinaj ka komentuar edhe njohjen që pritet nga Izraeli si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Njohja nga Izraeli është gjëja më e rëndësishme që ka dalë nga marrëveshja. Një njohje nga ky shtet ka rëndësi të madhe. Kjo për shkak të rolit që luan ky shtet në botë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat