​Osmani thotë se Shtëpia e Bardhë e ofroi njohjen reciproke, por qeveria Hoti hoqi dorë

Aktuale

​Osmani thotë se Shtëpia e Bardhë e ofroi njohjen reciproke, por qeveria Hoti hoqi dorë

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 11:28

(E plotësuar) - Rreth 7 orë ka zgjatur raportimi i kryeministrin Hoti në Kuvendin e Kosovës, për marrëveshjen e Uashingtonit dhe dialogun në Bruksel.

Në fund të seancës nuk pati kuorum për të hedhur në votim rezolutën për dialogun.

Shefi i Grupit parlamentar i VV-së, njëherësh propozues i rezolutës, Rexhep Selimi tha se kanë marrë edhe disa propozime të cilat do të merren parasysh dhe nesër kur pritet edhe të vazhdojë seanca e Kuvendit, kjo rezolutë të hidhet për votim.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën ku po raporton kryeministri Avdullah Hoti për dialogun ka thënë se ky i fundit ka humbur mundësinë për njohje reciproke me Serbinë në Uashington.

Kryeparlamentarja tha se Shtëpia e Bardhë e ka ofruar njohjen reciproke, por Kosova ka hequr dorë nga termi “Republikë”. E për njohje reciproke, Osmani tha se pritshmërinë e ka rritur vetë qeveria Hoti.

Osmani; Shtëpia e Bardhë e ofroi njohjen reciproke

“Unë besoj që pritshmërinë i ka rritur vet qeveria e ka thënë edhe këtu edhe çdo kund tjetër që pikërisht këtë rezultat duhet të pritnim. E vërteta është që e ofrojë këtë, Shtëpia e Bardhë iu vendosi përpara Kosovës dhe Serbisë ku Kosova ishte e njohur si Republikë e Kosovës. Republikë e Kosovës. Unë po pajtohem se është abuzuar me atë paragrafin e 10 ku i bazohet pakicave, por Shtëpia e Bardhë e ofroi një dokument për të nënshkruar edhe nga Serbia. Ajo ka qenë njohja reciproke, nga ajo nuk është dashur të hiqet dorë”, tha Osmani.

Ndërkohë i tha atij se e ka hapur temën e asociacionit në Bruksel, për të cilin tha se bashkë me Hashim Thaçin në 2013 e 2015 e kanë bërë, por siç tha do jenë të kujdesshëm që të parandalojnë të ri negociojnë prapë.

Osmani: Për mua është interesante ky zhvillimi i dy-tri ditëve të fundit

“Për mua është interesante ky zhvillimi i dy-tri ditëve të fundit. Kjo loja e ping-pongut mes LDK-së dhe PDK-së se kush e ka bërë asociacionin. E vërteta është se edhe në 2013 edhe në 2015 keni qenë bashkë rreth asociacionit...2013 ju e përkrahet PDK-në se kurrë nuk i kish bo 2 të tretat e votave, bile bile prej opozitës e 2015 Hashim Thaçi i rrinte pip në këmbë Isa Mustafës derisa ai i nënshkruante parimet për Asociacionin. Bashkë atëherë e bashkë në 2013, pra asociacioni është një meritë e përbashkët, por kjo nuk do thotë që ne sot nuk do të kemi kujdesin e nevojshëm për të parandaluar një synim që ai të rinegocohet prapë”, tha ajo.

Osmani tha se pjesa e dytë e marrëveshjes ku flitet për Ujamanin dhe shpërndarjen e burimeve ujore për çështje energjie është problematike.

Osmani: Pjesa e dytë e marrëveshjes për Ujmanin po na pengon

“Pjesa e dytë po na pengon, jo pjesa e parë. E mirëseardhur është amerika edhe për studim të fiizbilitetit”, tha ajo.

***

Hoti i përgjigjet deputetes së PDK-së: I gatshëm t’ua ofroj listën e plotë të këtyre ekspertëve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e sotme ku po raporton lidhur me dialogun Kosovë-Serbi i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshit, e cila foli për takimet në nivel ekspertësh, duke e pyetur se kush janë ata ekspertët.

“Po thuhet se kemi takime në nivel ekspertësh, kush janë këta ekspertë të cilët po negociojnë në emrin tuaj si kryeministër, në emër të qeverisë dhe në emër të Kosovës”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Hoti u shpreh i gatshëm të ia ofrojë listën e plotë të këtyre ekspertëve.“Mund t’ua ofroj listën e plotë të këtyre ekspertëve’’. Tutje, Hoti tha se vazhdimisht i ka ftuar në takim, por ata kanë refuzuar të takohen me të.

“Vazhdimisht iu ftoj në takime, por s’keni ardh. Une prap mbetem i hapur. Kur të doni ju, kur të ju përshtatet. Më ftoni, unë vi dhe ju informoj në detaje”.

Krasniqi, Hotit: Fotoja që e ke bërë me Trumpin për ty është historike, jo edhe për Kosovën

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi ka thënë se Kosova nuk ka nënshkruar kurrfarë marrëveshje në SHBA.

Sipas tij, delegacioni i Kosovës vetëm ka nënshkruar një fletë A4 të bardhë.

Ai madje ka thënë se fotografia e bërë në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump do t’i shërbejë vetëm Hotit.

“Foto që e keni bërë me presidentin Trump ka me ju nderu juve personalisht edhe keni me konsideru historike. Por për Kosovën nuk është historike, ju nuk keni arritë marrëveshje, keni nënshkru një fletë A4 të bardhë.”, ka thënë Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Debat i ashpër mes Hotit dhe VV-së: Iu shtimë në qeveri, por me këtë qasje kah ia keni mësyrë?

Kryeministri Avdullah Hoti dhe Lëvizja Vetëvendosje po vazhdojnë përplasjet e ashpra në seancën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë.

Ndërsa deputetë të partisë më të madhe opozitare kritikuan Hotin për dështim në sigurimin e njohjes dhe pranim për hyrjen e vendit tonë në nismën rajonale mini-Shëngen, kreu i qeverisë me ironi iu është drejtuar atyre se me këtë qasje nuk do ‘të mund t’ia mësyjnë askund’.

Hoti: Pse Vetëvendosje nuk erdhi në Uashington?

“Kemi punuar bashkë nja dy vjet në opozitë. Vërtet pata filluar të mendoj bashkë me kolegë që po afroheni ngadalë. Edhe iu shtimë në qeveri, iu prumë në institucione iu dhamë përgjegjësi institucionale. Por me këtë qasje ku po doni të shkoni, kah ia keni mësyrë kështu? Çfarë qasje është kjo, kur në secilin fjalim nuk dëgjoj argumente, por vetëm deklarata politike, fyerje, nënçmime. Këtë ajo që po them se nuk po mundemi të bëjmë një debat për të ecur përpara. Më jepni një argument se kjo marrëveshje është e dëmshme, ose si e ka dëmtuar sovranitetin. Ose të shtrojmë kështu, pse ju nuk keni shkuar në Uashington për të bërë më mirë, kur iu kemi lutur të shkojmë bashkë dhe ta përfundojmë këtë. Por ndërtonit teori të thikave dhe hartave. Jo shtëpia e verdhë, jo e kuqe. Prandaj jeni kështu”, tha ai.

E deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, tha se ka kritikuar Hoti për shkak të pranimit të hyrjes së vendit në mini-Shengen, e për të cilën kryeministri më herët ishte shprehur krejtësisht kundër.

Rexhaj: Unë ju kritikova me gjuhën e juaj

“Ju keni pasur çka të përgjigjeni. Kjo e juaja ishte politike, e imja ishte debat dhe përmbajtjesore. Unë ju kritikova jo me gjuhën time, e keni gabim, por me gjuhën e juaj dhe gjuhën e kryetarit tuaj. Unë nuk e thash asnjë konstatim politik të vetëm. Por lexova dy deklarata për mini-Shengenin që i deklaruat. Mbi bazën e kësaj unë kërkoj për t’ju larguar prej pozitës që e keni,” tha ai.

Ismaili akuzon Hotin: Ia hapi derën Serbisë për ndarjen e resurseve të Kosovës

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka adresuar një varg kritikash ndaj kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun me Serbinë.

Ai në seancën e sotme plenare, ku po raporton kreu i ekzekutivit, tha se i njëjti ka përkeqësuar pozicionin e Kosovës në dialog duke hapur tema të rrezikshme dhe duke mos sjell njohjen nga Uashingtoni, siç kishte trumbetuar vazhdimisht.

Ismaili: Sjellja juaj në temat që janë konsideruar të mbyllura për Kosovën, është e rrezikshme

“Premtuat njohje. I bindur, në kufi të arrogancës. Por, i mbërthyer nga iluzionet e pushtetit, jo që nuk e arritët njohjen, por përkundrazi po e largoni Kosovën nga mundësia e njohjes...Kjo shihet më së miri me temat që jeni duke i trajtuar. Të kaluara e të mbyllura, që nga koha e Edita Tahirit, ju po kaloni nëpër të njëjtat tema, e po i shqyrtoni si të reja. Çdo rrotullim i juaji në rreth, po duartrokitet nga Serbia, sepse edhe ata po çuditen me çfarë lehtësie po jua lejon hapjen e temave të vjetra e të mbyllura. Kjo sjellje e juaja – në temat që janë konsideruar të mbyllura për Kosovën, është e rrezikshme”, ka thënë Ismaili.

Ish-ministri i Shëndetësisë akuzoi kreun e ekzekutivit edhe për negocimin për resurset e vendit.

Ismaili: Është hera e parë që përfaqësuesit tanë shtetërorë negociojnë për resurset tona

“Qeveria Hoti, me ekipin masiv, e ka përkeqësuar dialogun, duke ia shtuar Kosovës edhe një problem tjetër – atë të kontestimit të pronësisë së pasurive natyrore të Kosovës... Është hera e parë në historinë e Republikës tonë që përfaqësuesit tanë shtetërorë negociojnë për resurset tona dhe që pasuritë tona të pazëvendësueshme i bëjnë objekte të pazareve me Serbinë. Shteti ynë deri tash ka zotëruar dhe menaxhuar i vetëm Ujmanin. Avdullah Hoti, me delegacionin e tij të madh, ka arritur që ta bëjë Serbinë bashkëpronare në arterien kryesore të ujit të Kosovës. Duke e bërë Serbinë hisedar të Ujmanit, Hoti ka hapur derën e kahmotshme të kërkesës së Serbisë – ndarjen e resurseve të Kosovës”, ka thënë Ismaili.

Hoti në Kuvend: Do të tmerroheni prej marrëveshjeve të mira që do të vijnë për Kosovën

Kryeministri Avdullah Hoti ka replikuar me deputetë të opozitës për çështjen e Asociacionit dhe liqenin e Ujmanit.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është tmerr që një kryeministër i vendit e trajtojnë Ujmanin njëjtë sikurse liqenet natyrale të Shkodrës dhe Ohrit duke shtuar se ka frikë që në po të njëjtën mënyrë do t’i trajtojë edhe pasuritë tjera shtetërore.

“Mini- Shengenin e keni mohuar dhe hipotezën, por ja që e nënshkruat. Do të doja që të isha e gabuar, jam deputete e opozitës që e kam mandat mbikëqyrjen e pozitës. Nëse e trajtoni me ligjin ndërkombëtar liqenin e Ujmanit është tmerr. Çka do të ndodhë me asetet tjera?  Nuk ke pse diskuton me Serbinë liqenin e Ujmanit sepse e kemi paguar secilin  milimetër përfshirë edhe drunjtë që janë shpronësuar në territorin e  Serbisë. Duhet t’i keni këto informata kur diskutoni”, ka thënë Kusari.

Por, Hoti duke thënë se nuk ka nevojë që këto çështje të politizohen tha se sado që vogël që është një pjesë e Ujmanit në Serbi, ajo i takon serbëve.

“Do të vazhdoni të tmerroheni me vendime të mira dhe konsolidim të shtetësisë. Pas marrëveshjes finale dhe njohjes reciproke këto do të shfrytëzohen me konventat ndërkombëtare. Unë jam për për të zhvilluar një debat argumentues dhe jo fyes, por me të dhëna konkrete. A jemi të gjithë në dijeni që një pjesë  e vogël e liqenit është në territorin e Serbisë?”.

Avdullah Hoti-Rexhep Selimit: Nëse ti Rexhë je ma patriot se unë, po tërhiqem

Kryeministri Avdullah Hoti po ballafaqohet me kritika teksa po raporton lidhur me marrëveshjen e arritur me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një moment, ai i është drejtuar deputetit Rexhep Selimi me këtë fjali:

“Nëse ti Rexhë je ma patriot se unë, po tërhiqem se kjo është relative”, ka thënë Hoti.

***

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar Qeverinë aktuale duke thënë se e ka degraduar Kosovën më shumë se  koha e UNMIK-ut.

Kusari Lila tha se delegacioni tanimë ka shkelur Kushtetutën gjatë bisedimeve.

 “Ujmani nuk mund të jetë liqe që ndahet në mes dy shteteve por e kemi ndërtu, përfundi Ujmanit është toka dhe e kemi furnizu me ujë. Asnjëherë nuk ka qenë diskutim Ujmani. Kjo qeveri e ka degradu Kosovën më keq se në koha e UNIMIK-ut.

Cili është qëndrimi i delegacionit kosovar, ai nuk ka platformë, e kanë shkel edhe Kushtetutën. Nuk mundet Kosova të vazhdoj dhe të mbaj mbi vete edhe josinqeritetin, pasigurinë dhe mungesën totale të transparencën që as 40 vota nuk i ka.

Më e pakta që mund të bëni sot zotëri Hoti është të kërkoni falje për fjalët e juaja të thënë më 17 qershor:

Më falni se kom gabu e se kom dit çka kom ba e  është ma mirë më shku në shtëpi, e ndoshta dëmi është ma i vogël për mu se për krejt Kosovën”, tha Kusari-Lila.

***

Dy javë pasi ka nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti po raporton para të zgjedhurve të popullit. Kreu i qeverisë iu zotua deputetëve se në vazhdimësinë e dialogut me Serbinë integriteti territorial i Kosovës do të jetë i panegociueshëm, rendi kushtetues, e po ashtu edhe sistemi unitar i vendit. Hoti e vlerësoi lartë zotimet në Uashington duke i cilësuar si fitore të popullit të Kosovës dhe hapë i madh drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Derisa edhe theksoi se dialogu në Bruksel nuk është teknik, por politikë që ka qëllim njohjen reciproke. Ndërkohë shtoi se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të hapet në dialogun e Brukselit. Për këtë temë kryeministri tha se ka qenë i hapur dhe transparent, e për këtë kërkoi konsensus politikë nga gjitha grupet parlamentare.

Në seancën e sotme plenare, Hoti iu paraqiti parimet për dialogun deputetëve.

Hoti: Parimet për dialogun me Serbinë

“Integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, e dyta organizimi kushtetues i Kosovës është i panegociushëm dhe sistemi unitar i Kosovës nuk mund të preket dhe diskutohet. Garantohet me Kushtetutë dhe e treta që marrëveshja do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mbi këto parime ne jemi duke zhvilluar procesin e dialogut dhe besojmë dhe është provuar në këto tre muaj se respektimi i këtyre parimeve në udhëheq drejtë në objektiva të qarta. Marrëveshja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, nuk ka me pas zgjidhje kreative për njohje reciproke, e dyta marrëveshja duhet të përmbajë detyrimin e BE-së për të përmbyllur njohjen e Kosovës nga 5 vendet që nuk e kanë njohur. E treta marrëveshja gjithashtu duhet të përmbajë dispozita që e shfuqizojnë rezolutën 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. E katërta hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe hapja e perspektivës evropiane për Kosovën si çdo vend që aspiron integrimet euro-atlantike. Edhe e katërta, por jo nga rëndësia adresimi i të gjitha çështjeve të hapura të vendet pasi asnjë normalizim nuk mund të ndodh pa u vendosur drejtësia edhe për këto çështje të hapura do të përdoren konventat ndërkombëtare”, tha ai.

Hoti tha se janë krijuar rrethanat e reja për njohjen reciproke.

Hoti: Nuk ka dialog teknik

“Tash jemi në rrethana të reja, vlerësoj se tash jemi protagonistë që për herë të parë të arrijmë njohjen reciproke. Andaj mi bazën e parimeve dhe objektive pas gati 2 vitesh qeveria ka rifilluar dialogun me Serbinë. Por më lejoni të them shumë qartë se ky nuk është dialog teknik, por dialog për marrëveshje finale me njohje reciproke mes dy vendeve”, tha ai.

Derisa iu sqaroi deputetëve edhe marrëveshjen e Uashingtonit. Ai tha se është gabim të thuhet se kjo marrëveshje është e rrezikshëm.

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit fitore e popullit të Kosovës

“Ky është një momentum i ri ndërkombëtar i marrëdhënieve ShBA-BE sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim të përmbyllet një herë e përgjithmonë kjo çështje. Por më lejoni të them se ky momentum nuk do të kishte prodhuar këtë marrëveshje të qeverisë së Kosovës pa treguar seriozitet dhe pragmatizëm mbi parime të qarta dhe kjo mbështetje e partnerëve për Kosovën nuk ka qenë e lehtë të arrihet pas lëndimeve të raporteve që kanë ndodhur vitet e fundit... kjo marrëveshje është fitore e madhe e popullit të Kosovës. Kjo marrëveshje është hap i madh drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Investimet e mëdha dhe sjellja e gazit në Kosovë do të jenë një infuzion për zhvillimin e ekonomisë të vendit tonë në vitet që vijnë...tash unë e kam parasysh se kjo marrëveshje nuk është perfektë por nuk është e dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën. Përkundrazi e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe e kthen Kosovën”, tha ai.

Kreu i qeverisë foli edhe për asociacionit e komunave serbe, ku theksoi se kjo temë nuk do të hapet në Bruksel.

Hoti: Tema e Asociacionit nuk hapet

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog. Kjo temë nuk hapet pasi ka një marrëveshje të arritur në vitin 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionit dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Për të gjitha temat në Bruksel vlen parimi se asgjë nuk dakordohemi nëse nuk dakordohemi për marrëveshjen finale përfundimtare”, tha ai.

Raportimi i kryeministrit Hoti për dialogun është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.

***

Kryeministri Avdullah Hoti gjatë raportimit për dialogun në Kuvendin e Kosovës, i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi dhe opozitës të cilët e cilësuan si të rrezikshme marrëveshjen e arritur në Washington.

Hoti  tha cilësimi i marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë si e rrezikshme për Kosovën është gabim strategjik.

“Nuk mund të hesht pak ndaj të pavërtetave që thuhen vazhdimisht për marrëveshjen e arritur në Washington dhe procesin e dialogut në tërësi. Cilësimi i marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë, si marrëveshje e dhembshme dhe e rrezikshme për Kosovën është gabim strategjik. Një deklarim i tillë është edhe i pasinqertë, pasi ata që kur u nënshkrua marrëveshja me 4 shtator e cilësuan si të rrezikshme, para dy dite e ngritën në qiell këtë marrëveshje për shkak të sigurimit të njohjes nga Izraeli”, tha Hoti.

Kryeministri ndër të tjera tha se si mund të jetë e dëmshme një marrëveshje që nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë e cila ka sponsorizuar Pavarësinë e Kosovës dhe është shteti kyc që ka ndikuar që të kemi gjithë ato njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Si mund të jetë e dëmshme për Kosovën një marrëveshje që sjell 1 miliardë dollarë amerikan mbështetje për projektet infrastrukturore dhe njohje të reja… Ata që tentojnë të ndjellin frikë te qytetarët për dialog e kanë gabim dhe e bëjnë për motive tjera që ata i dinë, unë nuk kam frikë të ulem në tavolinën e dialogut”, u shpreh Hoti.

***

Pas pauzës rreth dy orëshe ka nisur seanca plenare ku kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë për dialogun dhe marrëveshjen ekonomike me Serbinë.

Hoti dy javë më parë në Uashington ka nënshkruar letrat e zotimit për normalizim ekonomik me shtetin fqinj.

Ndërsa sot po vazhdon dialogu në nivel më të ulët të përfaqësimit në Bruksel.

Ndërsa, në paraditen e sotme është mbajtur vazhdimi i seancës, në të cilën seancë nuk u votua projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se orët shtesë dhe shtesa e rrezikshmërisë për policët e Kosovës do të paguhen në pagën e shtatorit. Kurse, shujta do të paguhet gjatë tetorit, eventualisht në nëntor për të gjithë policët të cilëve iu kërkojnë të qëndrojnë nga 12 orë në punë.

Hoti duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve, ka thënë se është takuar me drejtues të sindikatës së policisë dhe i kanë evidentuar orët shtesë që i nuk janë paguar ende që nga viti i kaluar dhe janë dakorduar që edhe shtesën e rrezikshmërisë ta paguajnë. Ndërkohë, tha po bisedojnë për koston e shujtës për policës që janë angazhuar nga 12 orë gjatë kohës së pandemisë .

Hoti: Pagesa e orëve shtesë dhe rrezikshmëria paguhet menjëherë për policinë

“Disa zgjidhen menjëherë siç janë pagesa e orëve shtesë, shtesa e rrezikshmërisë dhe besoj për disa javë, brenda muajit do të marrim vendim edhe për shujtën se si mund ta përmbyllim, në bazë të kostos që ka. Ndërkaq, për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm, besoj që nga viti i ardhshëm do të bëjmë një zgjidhje sistematike afatgjate“, tha Hoti.

Menjëherë ka reaguar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se gjendja e policisë është e rëndë.

Musliu: Caktoni datë kur do të merret vendimi

“Sot Policia e Kosovës i ka kërkesat prioritare dhe emergjente që duhet të zgjidhen dhe nga ju pres jo menjëherë dhe së shpejt, do të thotë kurrë por ta caktoni me datë se kur do të merret vendimi për të realizuar kërkesat të cilat janë prioritare dhe të domosdoshme“, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmira Kollqaku kërkesat e Policisë janë të arsyeshme.

“Ministri i punëve të brendshme edhe kryeministri ta marrin parasysh që mos të ndodhë ajo që askush nuk dëshiron të ndodhë, protesta e atyre që do të duhej të kujdeseshin për rendin dhe qetësinë”, tha ajo

Sërish ka reaguar kryeministri Hoti.

Hoti: Po dëshironi veç me shajt qeverinë

“A e di ku e keni hallin ju, ju doni të ballafaqoheni me mua me shajt këtë qeveri, nuk iu intereson problemi i police. Këtu është problemi, nëse shtrohet çështja që me trego kohen datën kur fillojnë me i marrë këto shtesa, por mënyra si po e shtroni këtë çështje deputetja besoj që ju fare nuk keni të drejt. Unë e kam gjet këtë situatë me 390 euro pagë pazë të policëve që dalin në rrugë. Unë i kam 3 muaj si kryeministër, pyetni policët kur kam qenë ministër i financave, si kanë kaluar, por ju po doni ta ktheni çdo gjë politike...orët shtesë dhe shtesa e rrezikshmërisë paguhen në pagën e shtatorit. Shujtën jemi duke bërë përgatitjet, nuk e dimë ende koston sa do të jetë besoj gjatë tetorit eventualisht në nëntor do ta paguajmë për të gjithë policët të cilëve iu kërkojmë të qëndrojnë nga 12 orë në punë. Për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm deri në fund të vitit i kryejmë përgatitjet e nevojshme dhe shpresojmë që nga janari të adresojmë këtë çështje“, tha Hoti.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 14:30, atëherë kur edhe do të raportojë për dialogun kryeministri Avdullah Hoti.

Kryeministri Hoti pritet të flasë për marrëveshjen e Uashingtonit me Serbinë për normalizim ekonomik.

Të zgjedhurit e popullit gjatë ditës dështuan të miratojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, e po ashtu disa rezoluta të LVV-së për pandeminë dhe Telekomin.

Seanca e Kuvendit, vazhdon përballja e kryeministrit Hoti me deputetët

Nënkryetarja e dytë e  Lëvizjes Vetëvendosjes Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, derisa po diskutohet për çështjen e pagesave shtesë për policët dhe punonjësit shëndetësorë, ka kritikuar LDK-në, e cila nuk ka votuar për shtesat e policëve, e tani Qeveria përmes një vendimi të ri po përpiqet të kamuflojë situatën.

Ajo ka thënë se subjekti i saj politik nuk po përpiqet të godasë Qeverinë, por këto janë shqetësime të gjithë atyre që punojnë në polici dhe në sektorin e shëndetësisë.

Kollçaku-Mulhaxha ka thënë se Qeveria nuk ka përfillur kërkesat e sindikatave, duke i lënë ata të punojnë me orar të zgjatur e duke mos ua bërë pagesat.

“Shumë policë kanë vdekur, shikojeni pakënaqësinë e punëtorëve shëndetësorë, paguajeni punën e njerëzve, punën që po e bëjnë, secilën orë shtesë”, tha nënkryetarja e VV-së. 

Haxhiu deputetit të VV-së: A e mbani mend sa policin e keni përgjakur

Kur PDK’ja kërkonte që të aprovohen kërkesat e policëve të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u ka thënë se pse nuk e mbronin Policinë, kur djemtë e zyrtarit të lartë të PDK-së, Adem Grabovcit, i rrihnin policët, duke iu referuar një rasti që ka ndodhur vjet më parë.

Për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili  u kujtoi VV-së protestat dhe sjelljet ndaj policëve.

„A e mbani mend sa policin e keni përgjakur, sa polici është shtrirë në spital. E ti po i përmend një rast të dy adoleshentëve”, ka thënë Haxhiu.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se profesionistët shëndetësorë do t’i marrin pagat e shtatorit me shtesë deri në përfundim të pandemisë.

Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, Hoti ka thënë se menaxhimi i pandemisë në Kosovës është bërë me protokollet që i kanë zbatuar vendet evropiane.

“Ju e dini çka ka ndodh me ligjin për paga, sa i përket pagave për profesionistët shëndetësor, i kemi bërë përgatitjet pagën e shtatorit e marrin me shtesë, do ta marrin tërë kohën sa është pandemia, tash te menaxhimi i pandemisë mund të jepni plot kritika por kjo është bërë me praktikat dhe protokollet që i kanë zbatu vendet evropiane”, ka shtuar ai.

***

Me polemika ka vazhduar sesionin e ri Kuvendi i Kosovës, ku po mbahet seancë plenare.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, ishte deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ajo që ngriti shqetësimin e gjendjes së policëve të Kosovës që kanë qenë të angazhuar në luftën kundër COVID-19, dhe respektimit të masave të institucioneve.

E  duke u përgjigjur, Hoti tha se ka takuar sindikatën e policisë, nga ku janë evidentuar orët shtesë, të cilat edhe do të paguhen.

“Ne me ministrin dhe drejtorin e Policisë e kemi takuar sindikatën e policisë dhe kemi evidentuar edhe orët shtesë që të vitit të kaluar që s’janë paguar ende. Po e evidentojmë edhe koston e shujtës për policët që janë angazhuar 12 orë gjatë pandemisë”, tha Hoti.

I menjëhershëm ishte reagimi i Musliut. Kjo e fundit tha se nuk i intereson kush ka qenë kryeministër në të kaluarën, në kontekstin se gjendja aktuale e policëve është e mjerueshme.

“Bash nuk më intereson kush ka qenë kryeministër vjet, as para 3 muajve. E rëndësishme është që policisë t’i krijohen kushtet për punë. Është e kotë bisedimet me sindikata, teksa policia po ballafaqohet me probleme serioze në Kuvend”, tha ajo.

Në debat për policët u përfshi edhe nënkryetarja e VV-së, Fatmire Kollçaku, e që shkaktoi reagimin e ashpër të Hotit.

“A e dini ku e keni hallin ju, ju doni me u ballafaqu me mu, me u sha me këtë qeveri. Unë e kam gjetë këtë situatë. Unë e kam gjetë situatën me 390 euro pagë bazë të policëve që dalin në rrugë. I kam tre muaj si kryeministër. Pyetini policët kur kam qenë ministër i Financave si kanë kalu me mu. I keni nxjerrë policët 12 orë në rrugë. E futët vendin në karantinë të plotë. Edhe shkoni krenohni pse numrat nuk janë rritur kur njerëzit ishin të mbyllur”, u shpreh Hoti.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës është ankuar te kryeparlamentarja Vjosa Osmani për mungesë të kushteve për personat me nevoja të veçanta dhe qasjen e tyre në Kuvend.

Deputetja e LDK’së, Lirije Kajtazi ka thënë se deputetin Fetah Rudi duhet domosdoshmërish ta përcjellë dikush për në Kuvend, e se një gjë e tillë është e pafalshme.

“Nuk ja kemi siguruar qasjen në Kuvend, domosdoshmërish duhet me e përcjellë dikush nga familjarët. Të gjithë ne e dimë kudo që kemi shku Fetahi është i pari, para neve shkon edhe i nderon. Kisha dashtë që të tregojmë një kujdes minimal, të tregojmë obligimin ligjor e di se e keni prit ai mungon sot, për shkak se është në rehabilitim me problemet me virusin, po bëhen 1 vit është e pafalshme se po flasim për xhandarmërinë po nuk po e kryejmë një punë të vogël për kolegun tonë”, ka thënë Kajtazi.

Lidhur më këtë çështje është deklaruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

“Është e nevojshme të ju njoftoj për të gjitha masat, në mbledhjen e parë të kryesisë vendimi i parë që e kemi marrë para më shumë se gjashtë muaj ka qenë vendimi që të krijohet qasje për personat me nevoja të veçanta në të gjitha hapësirat. Për fat të keq, procedurat zgjasin tepër më shumë se sa do të donim secili prej nesh, ka pas shumë komplikime”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

Ajo ka shtuar se në kuvend është punësuar një person për t’u kujdes për deputetin Rudi.

“Kam kërkuar që së paku të krijohet pjerrina edhe njëkohësisht e kemi siguruar asistentin personal për z.Fetah Rudi që do ta shoqërojë deputetin, nëse është një kërkesë që e kam përsëritur më së shpeshti është kjo, për mua ka qenë e papranueshme që të mos i sigurohet kjo deputetit. Përgjigja që e kam marrë vazhdimisht nga administrate është që janë procedura ligjore, asnjëri prej nesh as nuk do të duhej të guxojë të interferojë në procedura, më është thënë tani që brenda tri javësh do të vendoset edhe lifti në shkallë”.

“Arsyetime nuk përmenda, nuk janë deputetët e as kryesia që i ndjekin procedura e prokurorimit, ne do të kërkojmë që të respektohet ligji dhe që kjo çështje të rregullohet sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka përfunduar Osmani.

***

Një nga pikat e rendit të ditës së seancës së sotme plenare, ishte edhe Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

As në këtë seancë nuk kaloi ky projektligj ngase në votim morën pjesë vetëm 40 deputetë.

Votimi për këtë projektligj është shtyer për seancën e ardhshme.

Ky projektligj ishte propozuar në votim nga grupi parlamentar i PDK-së në seancën e 13 gushtit të këtij viti, dhe nuk kishte kaluar për shkaqe të njëjta. Në këtë votim kishin marrë pjesë vetëm 36 deputetë.

***

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka hedhur akuza ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se janë ata që kanë bllokuar ligjet, e jo deputetët.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në seancën e parë të sesionit vjeshtor ka kërkuar nga deputetët që të ju përmbahen masave anti Covid, duke ju uruar shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë infektuar me koronavirus

“Jam shumë e lumtur që të gjithë ata deputetë që kanë qenë të infektuar tani më janë në mesin tone”, ka thënë ajo.

Osmani e ka quajtur propagandë deklarimin se deputetët në këtë legjislaturë nuk e kanë kryer punën e tyre.

“Refuzoj propaganda që deputetët nuk e kanë kryer ligjet, nga 120 ligje që thuhej se kinse deputetët nuk i kanë trajtuar ata në fakt nuk kanë ardhur sepse nuk i ka sjellë qeveria”

“Nga 4 muaj e gjysmë sa kemi pasur funksionalitet të plotë, deputetët e kuvendit nëpërmes punës së palodhshme në komisione kanë sjellë në këtë seancë 100 për qind të punëve që i kanë trajtuar nëpër komisione”, ka thënë ajo.

***

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës u mbajt një minutë heshtje për nder të artistit, Adem Mikullovci.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se Kosova humbi njërin ndër artistët më të mëdhenj të saj.

Adem Mikullovci vdiq të martën në moshën 82-vjeçare.

***

Ka filluar mbajtja e seancës plenare, ku kryeministri Hoti do të raportojë para deputetëve për marrëveshjet në Uashington.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat