Bieber: Raportet e progresit nuk tregojnë saktësisht rënien e demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Bieber: Raportet e progresit nuk tregojnë saktësisht rënien e demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Nga: D.G. Më: 19 tetor 2020 Në ora: 08:36
Florian Bieber

"Mund të pritet që edhe për shumë vite mijëra faqe vrtuale letre do të shkruhen për zgjerim"

Raportet e Komisionit Evropian mbi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrime nuk japin një pasqyrë të qartë të rajonit dhe nuk arrijnë të tregojnë me saktësi rënien e demokracisë dhe sundimin e ligjit, tha Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit dhe koordinator i Grupit këshillues të politikës evropiane në Ballkan.

Në një tekst autorial të botuar në EU Observer, Bieber thotë se, për sa i përket sundimit të ligjit, raportet tregojnë qartë se progresi më i vogël është bërë në Bosnjë-Hercegovinë, pasuar nga Serbia, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia Veriore janë bërë lidere në progresin e përgjithshëm. .

"Megjithatë, raportet nuk e tregojnë saktësisht prapambetjen në disa vende, duke përfshirë Serbinë dhe Shqipërinë, gjatë pandemisë dhe më herët. Duket se prapambetjet ose regresionet nuk janë ende pjesë e fjalorit të Komisionit," tha Bieber. Edhe atje ku theksohet problemi, shton ai, ilaçi është i paqartë dhe i butë.

Bieber vlerëson se KE arriti të paraqesë problemet në rajon më mirë në raportet e këtij viti sesa në raportet e mëparshme, por që ende nuk arrin të tregojë me saktësi rënien e demokracisë dhe sundimin e ligjit në shumicën e pjesëve të rajonit dhe nuk analizon shumë se si të veprohet.

"Në fund, raportet janë katastrofë e PR-it për BE-në në Ballkanin Perëndimor. Ato e turbullojnë imazhin duke dhënë shumë detaje dhe shumë pak qartësi. Me raporte si këto, mijëra faqe letre virtuale mbi zgjerimin në Ballkanin Perëndimor mund të pritet të shtypen për shumë vite që vijnë," tha Bieber.

Ai thotë se integrimi evropian qëndron ulët në agjendë në shumicën e vendeve në rajon, ndërsa botimi i raportit mbi përparimin në integrimet evropiane nga ngjarjet më të rëndësishme për vendet në fjalë, është bërë "jo-ngjarje", i cili, përveç në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, i është kushtuar vëmendje "e vakët".

Kjo jo vetëm për shkak të interesit në rënie për zgjerimin, por edhe për raportimin mbi të, vlerëson Bieber.

Për vite me radhë, raporti vjetor i KE-së mbi atë që u quajt "përparim" drejt anëtarësimit në BE ishte një dokument për të cilin shkruanin mediat, "autoritetet e përdornin për të festuar suksesin e tyre dhe opozita për të kritikuar qeverinë."

Kjo nuk ndodhë më, mendon Bieber, duke shtuar se raportet e botuara më 6 tetor duhet të kishin një farë rëndësie. Jo vetëm sepse këto janë raportet e para të Komisionit të ri, të botuara nën mandatin e komisionerit Oliver Varheji, i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë hungareze të Viktor Orbanit, por edhe sepse ato duhej të botoheshin në maj, por u shtynë në minutën e fundit.

Përkundër faktit se raportet e këtij viti janë të gjera, më të hollësishme dhe mbulojnë ngjarjet më të rëndësishme, Bieber beson se ato nuk japin një pamje të qartë se si Komisioni e sheh rajonin.

Bieber vlerëson gjithashtu se raporti i ri nuk tregon plotësisht metodologjinë e re, sipas së cilës progresi do të lidhej me përfitime konkrete dhe mungesa e progresit ose pengesat do të kishin pasoja.

"Interpretimi i tablosë së përgjithshme i lihet komisionerit. Kjo është një mundësi e humbur për të riformuluar raportin për të qenë më i qartë, jo vetëm më gjithëpërfshirës. Pakënaqësia e Komisionit me qeveritë në rajon është, megjithatë, më e qartë se sa ishte më parë," thotë Bieber.

Ai përmend Serbinë si një shembull, për të cilin raporti thotë se "ka vazhduar të deklarojë integrimin Evropian si qëllimin e saj strategjik", duke treguar qartë se ajo është në një pjesë të madhe e një deklarate, sesa një realitet.

Sipas mendimit të tij, raportet vjetore të KE-së duhet të përshtaten me thelbin e metodologjisë së re, e cila synon ta bëjë procesin më politik.

"Kjo nënkupton përkufizimin e prioritetev, nxjerrjen në pah të modeleve të mangësive dhe problemeve dhe bërjen e propozimeve konkrete për hapat e mëtejshëm në procesin e pranimit," tha Bieber, duke shtuar se raporti si "instrumenti më i plotë i BE-së për vlerësimin politik të vendeve kandidate", nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat