Përveç shtatë komunave që aktualisht janë në karantinë, janë edhe gjashtë të tjera që pritet të mbyllen gjatë vikendit. Aktualisht, këto qytetet janë në zonën e portokalltë të infeksionit, por nëse rastet vazhdojnë të rriten, atëherë Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa.
Bazuar në hartën që pasqyron rastet me COVID-19 për 100 mijë banorë, të cilën e ka publikuar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, qytet e tjera ku mund të ndalohen hyrje-daljet në fundjavë janë: Lipjani, Ferizaj, Vushtrria, Juniku, Deçani dhe Peja.
Nëse vazhdon trendi i njejtë i rasteve, atëherë këto komuna do të hyjnë në zonën e kuqe të infektimit dhe do të mbyllen.
Një gjë të tillë e ka paralajmëruar vetë Zemaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Aktualisht, hyrje-daljet gjatë fundjavës ndalohen në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime.
Hyrjet dhe daljet në këto qytete ndalohen nga e premtja në orën 20:00, deri të hënën në orën 05:00, shkruan Express.
Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.
Me vendimin e MSH’së, obligohet Policia e Kosovës në çdo hyrje/dalje të bëjë kontroll rigoroz për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19.
“Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
“Çdo komunë tjetër që hynë në zonë të kuqe të infeksionit, sipas numrit të banorëve (sipas hartës), do të ketë masë të njëjtë!”, ka shkruar Zemaj.