​Pak shpresë për Vetëvendosjen në lidhje me votën e Arifit në zgjedhjen e Qeverisë Hoti

Aktuale

​Pak shpresë për Vetëvendosjen në lidhje me votën e Arifit në zgjedhjen e Qeverisë Hoti

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 16:47
Kushtrim Palushi

Nesër Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Hoti. E për partinë e Albin Kurtit po konsiderohet se ka pak shpresë se Kushtetuesja do të marrë një vendim në favor të tyre.

Sipas avokatit dhe njohësit të Kushtetutës, Kushtrim Palushi nuk ka shumë bazë kushtetuese dhe ligjore që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se vota e deputetit tashëm të arrestuar Etem Arifi ka qenë kundër-kushtetuese në zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Palushi: Pritjet e mia janë që Kushtetuesja s’do të aprovojë kërkesën e Vetëvendosjes

“Pritjet e mia janë që Gjykata Kushtetuese nuk do të aprovojë kërkesën e Lëvizjen Vetëvendosje për arsye se pasi deputeti Arifi ka humbur mandatin, pasi vendimi i Gjykatës së Apelit ka vërtetuar dënimin e tij me burgim efektiv nuk janë ndjekur procedurat për zëvendësimin e tij në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas këtij të fundit përcaktohet që në momentin që një ulëse në Kuvend mbetet e zbrazët si rezultat i humbjes së mandatit të një deputeti, atëherë kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë për këtë gjë presidentin e Kosovës dhe të kërkojë të përmbushet ulësja e zbrazët. Pas njoftimit nga kryetari i Kuvendit, presidenti i Kosovës duhet të kërkojë nga KQZ-ja të njoftojë mbi kandidatin e radhës për të zëvendësuar deputetin që ka humbur mandatin. Këto dy procedura, njoftimi nga kryetari i Kuvendit për presidentin në njërën anë, dhe anën tjetër njoftimi nga presidenti për KQZ-në për zëvendësimi për zotëri Arifi nuk ka ndodhur, e si rezultat mund të konstatohet se mandati i deputetin Arifi nuk është zëvendësuar nga një deputet tjetër e në këtë rast të mos konstatojë se ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Por nëse Gjykata Kushtetuese, konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese në zgjedhjen e qeverisë Hoti, Palushi për KosovaPress sqaron procedurat të cilat do të ndiqen me këtë rast.

Palushi: Në këtë aspekt zgjedhja e qeverisë Hoti kthehet në pikën zero

“Gjykata Kushtetuese do të konstatojë se procedurat për zgjedhjen e Qeverisë Hoti nuk janë respektuar, përkatësisht nuk kanë qenë kushtetuese. Në këtë aspekt procedura kthehet në pikën zero, do të thotë se çështja kthehet në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe në votimin për Qeverinë Hoti. Kjo do të thotë se duhet të ketë një votim të ri për propozimin e mandatarit të qeverisë, përkatësisht zotëri Hoti si mandatar i qeverisë dhe ky votim i ri duhet ose të zgjedh qeverinë e re, ose të dështojë. Në rast se në votimin e ri të zotëri Hoti si mandatar i qeverisë nuk është i suksesshëm, atëherë vetëm shpenzohet një raund i votimit me të cilin rast presidenti duhet brenda një afati kohor prej 30 ditëve të emërojë një kandidat të dytë, sipas të njëjtës procedurë që është ndjekur edhe më parë për raundin e dytë. E nëse dështon edhe raundi i dytë vendi shkon në zgjedhje”, u shpreh Palushi.

Ani pse mund të shpallet e antikushtetuese, vendimet e Qeverisë Hoti, sipas avokatit Palushi nuk mund të shfuqizohen.

Palushi: Qeveria Hoti mund të rrijë në detyrë dhe vendimet e saj s’mund të shfuqizohen

“Përkundër që nëse vendoset se procedura për votimin e Qeverisë Hoti nuk ka qenë kushtetuese kjo nuk do të thotë se kjo qeveri duhet të largohet e të kthehet qeveria Kurti. Kjo qeveri mund të vazhdojë si qeveri në detyrë, deri në zgjedhjen e qeverisë së re sipas procedurës kushtetuese. Edhe ato vendime nuk mund të shfuqizohen, pasi qeveria ka vepruar duke besuar se është zgjedhur në mënyrë kushtetuese. Prandaj ato votime nuk mund zhbëhen”, tha ai.

Njohësi i Kushtetutës pret që nesër pas seancës dëgjimore Gjykata Kushtetuese të del me vendim zyrtar për këtë çështje.

Palushi: Nesër në fund të orarit të punës mund të kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese

“Çdo herë kur ka pasur seancë dëgjimore vendimi është shpallur atë ditë, ose të nesërmen. Kështu që pas seancës dëgjimore të nesërme, sepse ne nuk e dimë sa mund të zgjasë ajo seancë, atëherë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen dhe do të shqyrtojnë argumentet, raportin e gjyqtarit raportues dhe argumentet e shfaqura gjatë seancës dëgjimore. Unë pres që nesër në fund të ditës, të orarit të punës, ne të kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha avokati Palushi.

Lëvizja Vetëvendosje në qershor ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti. Sipas LVV-së, kjo e fundit është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese pasi vota vendimtare ka qenë e deputetit Etem Arifi, i cili sipas tyre ka humbur mandatin e deputetit.

Në fund të muajit shtator, deputeti Etem Arifi u dorëzua në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, pasi ishte në arrati për disa muaj. Ai në vitin 2019 është dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione. Pavarësisht kësaj ai duke kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore mori pjesë në votimin e qeverisë Hoti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat