Vëllai i Smajl Hajdarajt me një mesazh të fuqishëm për të akuzuarit e Hagës, thirrja e tij për familjet e të vrarëve: Koha po vjen!

Aktuale

Vëllai i Smajl Hajdarajt me një mesazh të fuqishëm për të akuzuarit e Hagës, thirrja e tij për familjet e të vrarëve: Koha po vjen!

Nga: A.Zh Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 22:29
Personalitet e vrara pas luftës

Fazli Hajdaraj, vëllai i Smajl Hajdarajt, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës, duhet të dënohen nga Gjykata Speciale.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se Specialja nuk po e gjykon UÇK-në dhe se kjo gjykatë është shpresa e tyre e fundit se drejtësia do të vihet në vend, përcjell Bota sot.

Hajdaraj ka dhënë një mesazh për të akuzuarit që gjenden në Gjykatën Speciale.

“Dy fjalë për të akuzuarit që janë në Hagë: nëse ju do të dënoheni vetëm për vrasjet e serbëve do na vjen keq, por nëse do të dënoheni për vrasjen e shqiptarëve dhe zyrtarëve të LDK-së e bajshi me shëndet, sepse ju akuzoheni edhe për këtë”, ka shkruar ai.

Ai ka një thirrje edhe për familjet e të vrarëve të veprimtarëve politikë, duke thënë se nuk duhet të përçahen, pasi “koha e drejtësisë po vjen”.

Reagimi i tij i plotë në Facebook:

Të gjithë këta veprimtarë dikush i ka vra! Ata që kanë vra njerëzit më të mirë të Kosovës mund të jenë në Hagë, mund te janë në Parlament apo në partitë politike, apo në SHIK që sigurisht akoma vepron edhe pse kreu i saj Kadri Veseli e pati deklaruar të mbyllur misionin e tij.

Kosova e përgjakur me gjakun e tyre vazhdon të jetë akoma e uzurpuar prej "komandantëve" dhe kurrsesi nuk po mund të lirohet prej tyre. Mbi 20 vite e përgjaken Kosovën ata që po akuzohen nga Gjykata Speciale, dhe jo vetëm këta, por edhe te tjerët që pritet të arrestohen.

Tani Kosova -qytetarët e saj duhet t’i paguajnë me taksat e tyre mbrojtësit dhe familjarët që udhëtojnë për t’i vizituar. Për arrestimin e tyre, të gjithë në kor dhe me një demagogji prefide akuzojnë Gjykatën se po dëshiron ta gjykojë UÇK-në dhe jo individët. Kjo është një gënjeshtër e llojit të vet, sepse kurrkund nuk përmendet UÇK-ja, por individët, dhe të gjithë ata që kanë bërë krime duhet patjetër të dënohen. Kjo është shpresa e fundit për ne familjarët e të vrarëve dhe koha është që të mos heshtim!

Ky është shteti që vazhdon të jetë i kapur akoma prej tyre, dhe porosia nga ne familjarët është që ne duhet që ta ngrisim zërin shumë e më shumë, pasi çuditërisht as një institucion, as një parti politike nuk e pati guximin të deklarohet dhe ta mbështes Gjykatën për arrestimin e tyre.

Fjala e deputetes Marigona Geci ne Parlamentin e Kosovës, e cila akuzoi me emër kriminelët, u pengua nga nënkryetarja e Kuvendit, duke ia ndërprerë fjalën, dhe çuditërisht as më të voglin reagim nuk pati nga deputetët e as nga grupi parlamentar i partisë te cilës i takon. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në legjislaturën kur ishte deputet Fadil Geci dhe nuk kishte përkrahje nga shefi i grupit parlamentar zotëri Sabri Hamiti.

Ne familjarët kërkojmë që të zbardhën të gjitha vrasjet politike dhe të vihet drejtësia në Kosovë!

Dy fjalë për të akuzuarit që janë në Hagë: nëse ju do të dënoheni vetëm për vrasjet e serbëve do na vjen keq, por nëse do të dënoheni për vrasjen e shqiptarëve dhe zyrtarëve të LDK-së e bajshi me shëndet, sepse ju akuzoheni edhe për këtë.

Televizioni shtetëror RTK vazhdon t’i përkrah të akuzuarit me sloganin "Liria ka emër “, duke propaganduar se këta janë çlirimtarët për ta lajthitur edhe një herë popullin e Kosovës. Liria nuk ka emër individësh, liria ka emrin e popullit të Kosovës. Mos harroni se vrasësit kanë emër dhe çmimin do ta paguajnë patjetër!

Thirrje për familjet e të vrarëve: Krasniqi, Konushefci, Manaj, Maloku, Mustafa, Rraci, Zemaj Imeri, Bytyqi, Tolaj, Haklaj Behrami, Zeqiraj, Dajaku, Kastrati, Berbatovci etj. Mos pranoni të na përçajnë, sepse kështu duan të na mbyllin gojën. Mos heshtni, koha po vjen!!!

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat