Kosova në kërkim të datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Aktuale

Kosova në kërkim të datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 14:19
Ilustrim

Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje të martën të gjitha partive politike dhe institucioneve të Kosovës që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojnë që qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe paqësore.

Komunikata e kësaj ambasade pasoi vendimin e një nate më parë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti, ndërsa kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje jo më larg se 40 ditë nga data e shpalljes së tyre.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të martën do të fillojë një seri këshillimesh me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Qeveria e zotit Hoti u miratua me 3 qershor me 61 vota në parlamentin me 120 vende, minimumi i mundshëm për konfirmimin e një qeverie të Kosovës. Pa votën e zotit Arifi, ky minimum nuk do të ishte arritur.

Në vendimin e gjykatës Kushtetuese thuhet pos tjerash se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet dhe as të fitojë mandat të vlefshëm në parlamentin e Kosovës.

Kjo nxiti menjëherë debate nëse disa nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe kryetarin e saj, Albin Kurti, mund të kandidojnë meqë në janar të vitit 2018 një gjykatë në Prishtinë dënoi me kusht katër deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Deputetët e kësaj lëvizjeje kishin organizuar protesta dhe kishin bllokuar punën e parlamentit me gaz lotsjellës duke kundërshtuar një marrëveshje me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila u miratua në mars të vitit 2018.

Mendimet janë të ndara rreth ndikimit të mundshëm juridik të dënimit të pjestëarëve të lëvizjes Vetëvendosje. Një pjesë e ekspertëve mendon se fakti që dënimet ishin më kusht, nuk prodhon ndikime juridike, ndërsa një pjesë mendon se kjo mund të vështirësojë kandidimin e tyre./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat