Peci e lidh shkarkimin e shefit të AKI-së me rastin e kasafortës në Presidencë

Aktuale

Peci e lidh shkarkimin e shefit të AKI-së me rastin e kasafortës në Presidencë

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 00:22
Faton Peci dhe Vjosa Osmani

Shefi i stafit në Presidencë ka folur lidhur me tentimin për të hapur kasafortën në Presidencë. Derisa kronologjikisht e ka shpjeguar ngjarjen e asaj dite, Peci ka thënë se shkarkimi i ish-drejtorit të AKI-së Kreshnik Gashi lidhet pikërisht me këtë ngjarje.

Ai ka thënë se sekretari në Presidencë kishte ftuar një person të AKI-së aty dhe po përpiqej ta hapte kasafortën. Por, sipas Pecit, këtë kasafortë nuk guxon ta hapë askush përveç presidentit apo kryeministrit.

“Në momentin kur u futa në kabinetin e presidentit pash sekretarin e zyrës së presidentit që me telefon në dorë komunikonte me dikë dhe tentonte të hapte kasafortë. E dëgjova të thoshte se nuk po mund ta hapte. Kërkova nga ai shpjegim, ai deklaroi se nuk dëshiron që këto dokumente të bien në dorë të EULEX-it. Prezent ishte edhe një person që nuk e njihja, kërkova të dija kush është por nuk më ktheu përgjigje. Sekretari më njoftoi se ishte nga AKI-ja. E informova presidenten në detyrë, ajo tha ta transmetoj vendimin se kasaforta nuk guxon të preket, pavarësisht ai deklaroi se unë e marrë përgjegjësinë dhe do t’i tërheqë dokumentet sekrete. Presidentja më konfirmoi se EULEX-i nuk do t’i bastisë zyrën e presidentit”, ka thënë ai.

Sipas tij, sekretari është personi përgjegjës vetëm për menaxhimin e stafin civil.

“Mandatin për të ftuar AKI në një aktivitet të tillë mund ta ketë presidenti ose kryeministri. Kemi njoftuar ish drejtorin e AKI-së dhe mekanizma të tjerë në polici”, tha Peci.

Peci ka folur edhe për pezullimin e konkurseve në Presidencë ku ka deklaruar se ka pasur dyshime se është kurdisur një konkurs.

Ai ka potencuar se Osmani ka kërkuar që konkurset të pezullohen me arsyetimin që të mos ketë shkelje ligjore, administrative apo abuzime financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat