KQZ-ja do të adresojë çështjen e verifikimit të votuesve në diasporë

Aktuale

KQZ-ja do të adresojë çështjen e verifikimit të votuesve në diasporë

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:45
Votimet në Podujevë, foto nga arkivi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do ta miratojë edhe një udhëzim lidhur me vendimin e datës 11 janar, për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ka deklaruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Vendimi i KQZ-së, një ditë më parë, ka nxitur reagime të shumta. Në bazë të këtij vendimi, KQZ-ja do t’i telefonojë të gjithë personat që janë jashtë vendit dhe të cilët aplikojnë për votim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt. Sipas këtij vendimi, KQZ-ja do t’i refuzojë aplikacionet e atyre që nuk lajmërohen në telefon në kohën kur ky institucion i thërret për verifikim.

Daka: KQZ-ja do të adresojë çështjet e ngitura

Ndaj këtij vendimit të KQZ-së, ka reaguar, më 11 janar, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky vendim mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që ajo drejton është i pavarur dhe kolegjial, në të cilin vendimet merren nga 11 anëtarët e saj, që vendosin për të gjitha çështjet e ngritura në këtë institucion.

“Natyrisht që këto çështje më pas i nënshtrohen të drejtës së ankesës, në rast se ka ndonjë pakënaqësi dhe në qoftë se janë palë në proces. Gjithësesi, KQZ-ja gjatë ditës së sotme, në takimin që do ta kemi do të miratojë edhe një udhëzim lidhur me vendim, të cilin e kemi marrë dje, vendimin tashmë të famshëm për diasporën, dhe natyrisht që në atë udhëzim do të përshkruhet mënyra e verifikimit dhe të gjitha çështjet, të cilat janë ngritur në opinion dhe në fakt, keqkuptimet të cilat janë bërë”, theksoi Daka.

Ankesat ndaj vendimit të KQZ-së

Lëvizja Vetëvendosje, më 12 janar ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën për vendimin e KQZ-së lidhur me verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar që për të shmangur problemet dhe komplikimet “përfaqësuesit e LVV-së janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adresë dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni”.

“Për zbatimin e vendimit, KQZ-ja duhet të hartojë një udhëzim administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ai pritet të miratohet sot. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndaj vendimit të KQZ-së, më 11 janar, ka reaguar edhe Albuena Haxhiu nga Lëvizja Vetevëndosje e cila në një shkrim të saj në Facebook, ka theksuar që “ky vendim është sa absurd aq edhe i paligjshëm dhe jokushtetues, prandaj duhet të ndryshohet dhe kundërshtohet”.

“E drejta e votës është e pacenueshme ajo nuk mund të pamundësohet vetëm sepse dikush 'nuk e ka hapur telefonin'”, ka shkruar Haxhiu.

Të gjithë anëtarët e KQZ-së votuan për vendimin

Por, kryetarja e KQZ-së, Daka, paraprakisht ka sqaruar se vendimi për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, është marrë në mënyrë unanime, përfshirë edhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Sipas saj, mënyra e verifikimit, për të cilën është marrë vendim nga KQZ-ja, nuk po ndodh për herë të parë.

“KQZ-ja i ka verifikuar gjithmonë votuesit jashtë Kosovës dhe ka shumë mënyra të verifikimit. Ndërkaq, telefonata është një prej mënyrave të verifikimit dhe ndoshta verifikimi i fundit pas verifikimit të të gjitha dokumentacioneve që bashkëngjiten. Kështu që ka ardhur paksa deri te një keqkuptim dhe te një aktualizim i një çështjeje, e cila, në fakt, ka qenë gjithmonë prezente”, theksoi Daka.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar që përfaqësuesit e saj në KQZ, “për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja”.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë anëtarin e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshin, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve.

Në anën tjetër, organizata “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, ka dorëzuar në PZAP ankesën ndaj vendimit e KQZ-së. Përfaqësues të kësaj organizate kanë theksuar se “ekzistojnë elemente të mjaftueshme që vendimi i KQZ-së të hedhet poshtë në tërësi”, për shkak se, siç kanë thënë ata, KQZ-ja, përveç që ka marrë një vendim që cenon të drejtat kushtetuese, nuk ka dhënë arsyetime shtesë për masën ose për proporcionalitetin e këtyre masave përballë normave tjera ligjore dhe kushtetuese.

Cakolli: Vendimi i KQZ-së eviton situatat e manipulimeve

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Eugen Cakolli, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se vendimi i 11 janarit i KQZ-së lë paqartësi për disa aspekte teknike të organizimit të procesit të verifikimit. Por, sipas tij, ky vendim është i nevojshëm dhe i drejtë, në funksion të rritjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe siç thotë ai, nuk përbën shkelje të asnjë të drejte kushtetuese të qytetarëve.

“Ky vendim do të duhej të pasohej me ndonjë udhëzim apo vendim plotësues që përcakton modalitetet të tilla, si numri i thirrjes që do të bëhet për secilin votues, koha e thirrjes, intervalet, e sidomos të merret paraysh çështja e zonave të ndryshme kohore për votuesit që mund të aplikojnë nga vendet më të largëta. Në këtë drejtim, me anë të këtij vendimi, evitohen situatat e manipulimeve të procesit të votimeve jashtë vendit, që në fakt, si operacion zgjedhor është një prej hallkave më të ndjeshme dhe më së lehti të cenueshme dhe të manipulueshme në tërë procesin zgjedhor”, theksoi Cakolli.

A shtoi se edhe në rast se KQZ-ja ua mohon, në çfardo forme, qytetarëve jashtë vendit të drejtën e aplikimit për të votuar, ata kanë mundësi që çështjen ta dërgojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky i fundit, më pas, ka të drejtë që të urdhërojë KQZ-në për pranimin e aplikimeve të këtyre personave.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Më shumë se 35 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, ishn regjistruar si votues nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në tetor 2019./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat