U dekorua dje, polici që e kishte dënuar një vajzë pse qeshi, sot akuzohet se e goditi Natyra Kuçin

Aktuale

U dekorua dje, polici që e kishte dënuar një vajzë pse qeshi, sot akuzohet se e goditi Natyra Kuçin

Më: 12 janar 2021 Në ora: 19:22
Fatmir Miftari

Fatmir Miftari, polici nga Vushtrria i cili po akuzohet nga Frashër Krasniqi, anëtar i PSD’së, se ka ushtruar dhunë përgjatë momentit të arrestimit të anëtarëve të kësaj partie, dje është dekoruar me medalje policore për lëvdim.

“Për kontribut të çmuar dhe shërbim meritor gjatë kryerjes së detyrave, duke u bazuar në standardet më të larta të shërbimit dhe profesionalizmit policor”, thuhet në medaljen policore për lëvdim të ndarë për reshterin Miftari.

Por, i njëjti është akuzuar për ushtrim dhune ndaj anëtarëve të PSD’së përgjatë momentit të protestës së mbajtur të martën.

Image

 

“Ky është Fatmir Miftari. Rreshteri i Policisë së Kosovës që e goditi në kokë Natyra Kuçin edhe pse ishte me duar të lidhura brenda stacionit policor. Pas reagimit tonë verbal, ai më mori në zyren e tij dhe bashkë me 4-5 policë të tjerë më goditën për disa minuta pa ndërprerë”, thuhet në një postim të Krasniqit.

Miftari u bë i njohur për publikun pasi që në korrik të vitit 2019 gjobiti një vajzë në Prishtinë pse qeshte me zë të lartë, nën pretekstin se e prishte rendin publik.

Për shkak të së qeshurës, qytetarja nga Prishtina ishte dënuar me një gjobë prej 100 eurosh, gjë që kishte ngjallur shumë kritika në mesin e publikut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat