Prokuroria në Suedi deklarohet rreth rastit të personit që dyshohet se vrau prindërit në Prizren

Aktuale

Prokuroria në Suedi deklarohet rreth rastit të personit që dyshohet se vrau prindërit në Prizren

Më: 15 janar 2021 Në ora: 11:44
Durim dhe Suada Hadri

I dyshuari për vrasjen e prindërve në Prizren, Adriatik Hadri, do të dalë shumë shpejt para autoriteteve suedeze. Prokuroria atje ka ngritur aktakuzë ndaj 36-vjeçarit, për vrasjen e Durim dhe Suada Hadrit. Informata se kur do të fillojë saktësisht gjykimi ndaj tij, ka dhënë prokurori suedez.

Viti 2020, kishte nisur me një ngjarje të rëndë që kishte tronditur gjithë vendin. Dy shtetas suedezë me prejardhje nga Kosova, ishin gjetur të vrarë në shtëpinë e tyre në lagjen Ortakoll të Prizrenit.

Votoni online: Cilin nga kandidatët për kryeministër do ta votoni?

Durim e Suada Hadri kishte vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

I dyshuari i vetëm për vrasjen e çiftit me shtetësi suedeze është djali i tyre, Adriatiku. Menjëherë pas këtij rasti, ai kishte ikur nga Kosova. Ai ishte arrestuar më pas në Suedi, ku edhe do të zhvillohet procedura penale ndaj tij.

Detaje se deri ku kanë shkuar procedurat me rastin e personit ka dhënë prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik.

Calmvik i ka thënë mediave vendore se sot ka filluar ta ndjek penalisht Hadrin për vrasjen e prindërve të tij.

Sipas tij, gjykimi për të pritet të fillojë gjatë këtij muaji.

“Mund t’ju informoj se sot kemi ngritur aktakuzë Adriatik Hadrin për vrasjen e Durim dhe Suada Hadrit. Gjykimi do të fillojë brenda dy javëve”, thuhet në përgjigjet e Calmvik.

Ndryshe, procedura penale ndaj Hadrit është transferuar para gati 10 muajsh në Suedi, shkaku i pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, kishte thënë se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.

“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, ka thënë Mehmeti.

Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.

“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat