​Inaugurohet aneks objekti i AKF-së, kërkohet status i merituar në Ligjin për Paga për ekspertët e forenzikës

Aktuale

​Inaugurohet aneks objekti i AKF-së, kërkohet status i merituar në Ligjin për Paga për ekspertët e forenzikës

Më: 18 janar 2021 Në ora: 11:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Është inauguruar sot aneks-objekti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, për të cilën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha se është model për gjithë regjionin dhe më gjerë. Ndërsa AKF kanë kërkuar nga Hoti që ekspertët e Forenzikës të kenë status meritor në Ligjin për Paga.

Me rastin e inaugurimit të kësaj agjencie, Hoti tha se Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile në sytë e qytetarëve të Kosovës, për çka shtoi se në këtë drejtim kontribut të madh jep vet AKF.

“Ju përgëzoj që keni arritur në këtë pikë, sot kur promovohet edhe aneksi dhe besoj që kompletohet krejt infrastruktura e nevojshme që ky agjencion shumë i nevojshëm, besoj e përcakton në masë të madhe efikasitetin e punës të policisë dhe zgjidhjen e rasteve të ndryshme, po kompletohet me krejt infrastrukturën e nevojshme. Përgëzoj stafin, drejtorin, që pa zhurmë i kanë kryer gjithë këto aktivitete, gjithë këto punë. Më lejoni që edhe në emër të qeverisë, të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtar kanë ndihmu në ngritjen e kësaj agjencie që nga fillimi, që realisht në bazë të informatave të drejtorit, është agjenci model në regjion”, tha Hoti.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu tha se me përurimin e këtij objekti po krijohen kushte për kryerjen e shërbimeve forenzike për kryerjen e detyrave në dobi të vendit.

“Ky investim i përkrahur nga MPB shënon një sukses të lartë në konsolidimin e mëtejmë të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë që veprojnë brenda MPB… 5:44 Me ndërtimin e këtij objekti Agjencisë së Kosovës për Forenzikë po i krijohen kushte dhe mjedis shumë i përshtatshëm për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që janë përcaktuar me ligj dhe me Kodin e procedurës penale për kryerjen e shërbimeve forenzike sipas kërkesave dhe urdhrave të Gjykatave, Prokurorisë, Policisë”, tha Veliu.

E drejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri e vlerësoi si të rëndësishme ditën e sotme, duke thënë se me krijimin e kushteve për shërbime forenzike AKF po bëhet shembull edhe për rajonin.

Ai adresoi edhe një kërkesë për kryeministrin në detyrë dhe qeverinë e re, e cila pritet të vijë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Mund të mburremi se AKF, ashtu siç e potencoi edhe kryeministri, është ndër agjencitë më kredibile jo vetëm në vend por edhe në rajon, e krahasueshme në Evropë dhe në SHBA. Përkundër suksesit, forenzika, drejt zhvillimit të saj ka pasur edhe barriera dhe sfida, kryesisht mbi pasojat juridike mbi statusin e ekspertit forenzik […Ligji për Paga, tanimë i shfuqizuar nga gjykata Kushtetuese ka dëmtuar personelin e Forenzikës, sepse ka ndryshuar statusin nga ‘Zyrtarë me status të veçantë’ në ‘shërbyes civil’. Andaj, ne nga kjo foltore, me rastin e inaugurimit, adresojmë tek kryeministri, ministri, por edhe në qeverinë e ardhshme, që të ketë parasysh statusin e AKF-së, që të ketë vendin meritor siç e meriton sipas detyrave dhe përgjegjësisë që ka”, u shpreh ai.

Olluri shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilëve tha se nuk do të mund të gëzonin infrastrukturën të cilën e kanë sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat