Militanti i PDK-së në Drenicë e kërcënon me gjuajtje me zolë përkrahësin e VV-së, ja çka thotë Liri Loshi

Aktuale

Militanti i PDK-së në Drenicë e kërcënon me gjuajtje me zolë përkrahësin e VV-së, ja çka thotë Liri Loshi

Nga: A.Zh Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 22:42
Liri Loshi, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka thënë se është akuzuar për “tradhti kombëtare” nga djali i axhës së tij.

Ai ka treguar se Shefqet Loshaj, një militant i PDK-së, e ka kërcënuar kushëririn e tij, se nëse kandidatit të VV-së i hapet dera e lagjes për tubime për fushatë, ai do ta gjuajë atë me zolë.

Loshi ka thënë se nuk do ta ndalë fushatën për VV-së, por nuk do t’i përgjigjet zolës me zolë, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se synon që Vetëvendosjes t’ia sigurojë rreth 30 mijë vota. Loshi i ka dërguar porosi PDK-së që t’i ndalojë militantët e saj që të mos tregojnë agresivitet.

Postimi i plotë i Loshit në Facebook:

Kurrë nuk e kam ditur se kalimi im në Vetëvendosje qenka tradhti kombëtare! Këtë sonte ma tha djali i axhës tim, Shefqet Loshaj, biznesmen i suksesshëm dhe militant i PDK-së. Unë insistoj se bashkimi i një partie politike në demokraci është e drejtë individuale, pra e drejtë politike dhe vlerësoj se kalimi im në Lëvizjen Vetëvendosje është vepër kombëtare.

Shefqeti iu kërcënua kushëririt tim, Ragip Loshit se nëse mua më hapet shtëpia e lagjes për tubime për të bërë fushatë, ai do ta gjuajë atë me zolë! Unë kam menduar se luftën me zola e kemi përfunduar më 1999. Sidoqoftë, PDK-ja nuk ka nevojë të shqetësohet për fushatën time, sepse unë edhe sikur ta ndërpres sot atë, ulësen në parlament besoj fort se e kam të siguruar.

Fushatën time s’ka zolë që e ndal. Do të shkojmë deri në fund, duke shpresuar se për LVV-në do t’i tuboj nja 30 mijë vota. Vullneti nuk është imi, sa është i popullit tim. Dhe, populli nuk ndalet me zola.

Është mirë që lidershipi i PDK-së t’i zapojë pak militantët agresivë që turren kot. Epoka e Lëvizjes Vetëvendosje po troket në derë dhe unë jam tepër krenar që jam anëtar i saj. Zolat e mbetura nga lufta është mirë të asgjësohen për hir të sigurisë sonë të përgjithshme. Sepse, unë nuk e kam ndërmend t’u përgjigjem zolave me zola.

PDK-ja ka merita të pamohueshme për demokracinë që kemi. Tash, i mbetet që neve qytetarëve të na lejojë ta gëzojmë atë. Ne nuk po bëjmë asgjë të palejuesheme. Ne po bëjmë fushatë shumë të qetë dhe fer dhe po kërkojmë votën e vullnetit qytetar dhe jo votën e imponuar.

Image
Postimi i Loshit në Facebook
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat