Prishtinasit nuk i befasoi rezultati zgjedhor, presin shumë nga Qeveria e ardhshme

Aktuale

Prishtinasit nuk i befasoi rezultati zgjedhor, presin shumë nga Qeveria e ardhshme

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 15:17
Prishtina

Kosova ditën e diel mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u vlerësuan si të lira, demokratike dhe me një standard të lartë sa i përket organizimit. Këto zgjedhje prodhuan një ndryshim sa i përket radhitjes së subjekteve politike, por edhe dallimit ndërmjet partisë së parë dhe të dytë.

Lëvizja Vetëvendosje arriti një rezultat prej rreth 48 për qind, e pasuar nga PDK-ja, me rreth 18 për qind, LDK-ja me rreth 13 për qind, AAK-ja rreth 8 për qind dhe Nisma e cila nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor.

E këto rezultate qytetarët e Prishtinës po i vlerësojnë si të pritura, ndërkohë që kanë shumë kërkesa për Qeverinë e ardhshme.

Gëzim Berisha, thotë se ky rezultat ishte i pritshëm dhe se pret nga institucionet e reja të punojnë më shumë për qytetarët dhe integrimin e Kosovës.

“Nga këto zgjedhje po pres të punojnë më shumë për neve, për integrimin e Kosovës ne arenat ndërkombëtare dhe premtimet që i kanë dhënë shpresoj ti mbajnë… Ka qenë i pritur ky rezultat”, tha ai.

Qytetari tjetër, Agim Imeri thotë se Kosovën e presin shumë punë, ndërsa i bën thirrje qeverisë së re që t’i zgjidh së bashku me Aleatet e saj ndërkombëtar e sidomos me ShBA-në.

“Apel i bëj që aleatët të jenë prioritet dhe të bëjmë se çfarë thotë Amerika bashkërisht të ecim dhe të rrugëtojmë, miqësisht të shkojmë dhe ti mbyllim problemet, ministrat shpresoj të jenë të qëlluar, ministra që vijnë ta luajnë rolin, më pak me politike dhe secili fushën e vet” tha ai.

Fitim Uksmajli, një i ri prishtinas ka pritshmëri tjera nga qeveria e re. Ai pret nga Lëvizja Vetëvendosje të bashkojë Kosovën me Shqipërinë

“Po kam votu, qata qe e kom votu kena fitu, ky shumë shpejt ka me bashku edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Edhe hale ma shumë kemi me kon tash kur t’i numërojmë votat e diasporës kemi me u bo edhe ma shumë” u shpreh ai.

E mërgimtarët që kishin ardhur nga diaspora për të votuar, po ankohen se hasen në shumë probleme.

Hysen Krasniqi i cili ka ardhur nga Baseli i Zvicrës thotë se askush nuk i shikoi rezultatet e testeve antiCovid dhe se kjo ishte bërë vetëm për t’i shpenzuar ata.

“Po kam votu dhe kam ardh kaistil (posaqërisht) nga Basel i Zvicrres, Avdullah Hoti tha me bë testin atje, dhe kur erdhëm këtu as nuk e këqyri bile, e kish qit vetëm me na shpenzu neve,kjo është turp i madh u mundu me na ndal neve amo ska mujt apet”… “Besoj që edhe dy mandate kane me i fitu” tha ai.

Fadil Avdullahu një tjetër qytetarë i cili kishte ardh nga Franca për të votuar hasi në probleme ditën e votimit.

Ai nuk e gjeti veten në regjistër dhe kështu mbeti pa votuar.

“Vij nga Franca, kam deshtë me votu amo nuk ma kanë pranu votën, më kanë thanë që nuk je në regjistër, edhe m’kthyn mbrapsht. Po presim diçka mirë, nashta kësaj here fiton Vetëvendosja” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat