Flasin nga Gjykata Speciale, a do të akuzohen edhe Fatmir Limaj, Azem Syla e Sylejman Selimi

Aktuale

Flasin nga Gjykata Speciale, a do të akuzohen edhe Fatmir Limaj, Azem Syla e Sylejman Selimi

Nga: H.O. Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 07:53
Gjykata Speciale

Pasi janë ftuar nga Haga, ishte publikuar edhe aktakuza ndaj të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Mirëpo në këtë akuzë janë përmendur edhe emra të tjerë të politikës që thuhet se kanë marrë pjesë në krime në luftën e fundit në Kosovë.

Ndër këta emra janë edhe Fatmir Limaj, Azem Syla, Sylejman Selimi, Lah Brahimaj e të tjerë, siҫ citohet në njërën nga pikat e aktakuzës.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇKsë dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’)”, thuhet në aktakuzën publike nga Gjykata Speciale.

Mirëpo në një përgjigje dhënë për “Bota sot”, zëdhënësi i kësaj gjykate, Chris Bennett thotë se kjo aktakuzë lidhet vetëm me përgjegjësinë kriminale të katër të akuzuarve deri më tani.

“Akt-akuza publike e redaktuar lidhet vetëm me përgjegjësinë kriminale individuale të katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. ZPS-ja nuk diskuton nëse po kryhen hetime, statusin e tyre, apo vendimet për ngritje të akt-akuzës. ZPS-ja do të kryejë hetime objektive, profesionale dhe të paanshme për krime që përfshihen në juridiksionin e saj”, thotë zëdhënësi i Gjykatës Speciale për “Bota sot”./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat